Sezoni turistik/ Kontroll subjekteve për vetëdeklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore

0
249

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka nisur zbatimin e planit të masave për sezonin turistik 2020.

Ky plan synon informimin, ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike, në mbarë vendin, në sektorin e veprimtarive të turizmit (bar, restorant, hoteleri etj) për zbatimin me korrektësi të legjislacionit tatimor, si dhe rritjen nivelit të vetëdeklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore.

“Situata e pazakontë e këtij viti, për shkak të COVID-19, e bën akoma më të rëndësishme mbarëvajtjen e këtij sezoni, e cila është në interes të gjithë ekonomisë, si dhe të bizneseve, që ushtrojnë veprimtari në zonat turistike”, bën të ditur DPT.

Sipas DPT-së, strukturat e shërbimit për tatimpaguesit në çdo drejtori rajonale do të kryejnë vizita në vendet e ushtrimit të aktivitetit të subjekteve, me qëllim informimin e tyre për legjislacionin tatimor, këshillimin për rritjen e nivelit të përmbushjes vullnetare si edhe marrjen e informacionit në kohë reale për sa i takon ushtrimit të dhënave të përgjithshme subjekteve që ushtrojnë aktivitete në fushën e hoteleri turizmit, të cilat kanë të bëjnë me regjistrimin e subjekteve, instalimin e pajisjes fiskale, numrin e punonjesvë të përfshirë në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore etj

“Më pas do të vijohet me verifikime dhe kontrolle në vend, përgjatë gjithë sezonit në lidhje me respektimin e detyrimit për regjistrim në QKB dhe në administratën tatimore, dokumentimin e mallrave gjendje apo në transport, për të lëshuar kupon tatimor apo faturë tatimore për çdo transaksion që tatimpaguesi kryen me klientët e tij, regjistrimin e të gjithë punonjësit e angazhuar në biznes me kohë të plotë apo të pjesshëm, si dhe afishimin e çmimeve te shitjes së mallrave apo të shërbimeve të ofruara”, thekson DPT.

Administrata Tatimore, thotë se me të gjitha strukturat e saj, është e angazhuar për të qenë në çdo kohë e pranishme në territor, për të kontrolluar dhe verifikuar nga afër situatën në të gjitha zonat turistike të vendit.

“Qëllimi kryesor është zbatimi i ligjit, duke u siguruar se sistemi është i drejtë dhe i barabartë për të gjithë. Kjo është arsyeja, pse strategjia jonë e vë theksin te rritja e cilësisë së shërbimeve për tatimpaguesit”, shprehet DPT.

atsh