Sfida e mësimit online, vetëm 50% e nxënësve në arsimin profesional kishin internet të vazhdueshëm në karantinë

0
322

Viti i ri shkollor është në prag, ndërsa vendi ka hyrë në një fazë intensive të pandemisë që më shumë gjasë do të kushtëzojë sërish mësimin në ambientet shkollore. Por mësimi online në kushtet e Shqipërisë kur përdorimi i teknologjisë është nivele të ulta dhe cilësia e internetit lë për të dëshiruar rrezikon të cenojnë rëndë përfitimin e njohurive sipas programit shkollor.

Një sondazh që u krye nga programi zviceran Aftësi për Punë në 10 shkolla profesionalë të vendit gjeti se mungesa e internetit ishte sfida kryesore që kushtëzoi pjesëmarrjen në mësimin online. Rezultatet e anketës treguan se 26.5 për qind e problematikës, ishte mungesa e internetit dhe 19,7 për qind e mësuesve pohuan se kishin vështirësi në vlerësimin e nxënësve.

56% e mësuesve që morën pjesë në sondazh vlerësojnë mungesën e internetit si pengesën kryesore për mbarëvajtjen mësimit në distancë online. Nga ana tjetër, rezulton se vetëm 50% e nxënësve kanë internet gjatë gjithë kohës, 36% kanë internet me raste dhe vetëm 14% e tyre nuk kanë fare akses në internet.

Gati 82% e mësuesve dhe 64% e nxënësve thanë se përdorin WhatsApp për të bërë mësim. Ndërsa 70% e nxënësve janë dakord me formën se si po vlerësohet mësimi online (pyetje frontale, etj.), 20% e mësuesve e kanë problem vlerësimin në këtë format. 39% e mësuesve dhe 54% e nxënësve janë dakord që kjo formë e mësimdhënies të vazhdojë të shfrytëzohet edhe pas mbarimit të karantinës.

Nxënësit e kanë pranuar realitetin e të mësuarit nga shtëpia dhe se ata po bëjnë përpjekje për ta “normalizuar” procesin. Nga ana tjetër, shpjegimet online mbeten sfidë për 60% të nxënësve që morën pjesë në sondazh. Lidhur me pasurimin me materiale të platformës digjitale, nxënësit theksuan nevojën e shtimit të materialeve mësimore për çdo lëndë.

Gjithashtu, ata u shprehën se materialet duhet të jenë të shkurtra e të përshtatshme për t’u lexuar nga celularët. Më shumë së gjysma e nxënësve shprehen qartë për nevojat për materiale me qasje digjitale dhe ndërvepruese. Pjesa tjetër e kërkesave për platformat ka të bëjë me rritjen e sasisë së videove mësimore që në këto kushte mund të zëvendësojë praktikën. Për t’u theksuar është fakti që 1 në 4 nxënës kërkon më shumë hapësirë për diskutim online, gjë që përmes celularit është një sfidë për t’u realizuar.

Sfida e heshtur gjatë kësaj situate me arsimin e formimin profesional lidhet me praktikën profesionale. Gjysma e nxënësve pohojnë se po e realizojnë praktikën në kushtet e shtëpisë, ndërsa gati 1/3 përmes projekteve të ndryshme. 20% thonë se praktika nuk u realizua. Më shumë se gjysma e nxënësve janë të kënaqur me gjetjen e zgjidhjes për realizimin e praktikës profesionale ndërsa 1/4 e tyre nuk janë dakord me zgjidhjen e ofruar për praktikat.

Monitor