SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit të shtunën në mëngjes, pas asaj që ushtria izraelite e përshkroi si muaj të tërë “planifikimi të përbashkët”. Izraeli tha se sulmet e tij kishin në shënjestër udhëheqësin suprem të Iranit, presidentin dhe kreun e forcave të armatosura.
Presidenti Donald Trump e përshkroi fushatën ushtarake të SHBA-së si “masive dhe në vazhdimësi”. Ai u bëri thirrje iranianëve të “marrin në dorë qeverinë tuaj”. Trump gjithashtu akuzoi Teheranin se po punonte për të rindërtuar programin e tij bërthamor pas sulmeve masive të SHBA-së verën e kaluar, për të cilat më parë kishte pretenduar se i kishin shkatërruar plotësisht objektet. Irani thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Teherani iu përgjigj sulmeve duke ndërmarrë një valë të paprecedentë goditjesh drejt Izraelit dhe objektivave amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme. Shpërthime u raportuan në disa vende, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Katarin.
Operacioni izraelito-amerikan u krye nga forcat ajrore të izraelit. Ministri i Mbrojtjes së Izraelit njoftoi një sulm parandalues ndaj Iranit. Mediat iraniane kanë konfirmuar shpërthimet.
Në kohën e sulmit, IDF lëshoi një paralajmërim kombëtar për të gjithë qytetarët që të qëndrojnë pranë zonave të mbrojtura.
“Ky është një paralajmërim paraprak me qëllim përgatitjen e publikut për mundësinë e lëshimit të raketave drejt shtetit të Izraelit”, tha IDF.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi tre shpërthime në qendër të Teheranit. Tym i dendur po ngrihet nga qendra e Teheranit, raportoi agjencia iraniane ISNA.
FARS raportoi gjithashtu se raketat goditën lagjen qendrore Jomhouri të kryeqytetit iranian dhe rrugën ku ndodhet Universiteti i Teheranit.
Autoritetet në Teheran thuhet se po inspektojnë të gjitha zonat e prekura dhe kanë rritur masat e sigurisë në kryeqytet.


