SHBA do të financojë ndërtimin e HEC-it të Skavicës

0
229

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të financojnë ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Abdullah Hoti në Tiranë.

Hidrocentrali i Skavicës, pjesë e kaskadës së Drinit, është konsideruar vepër strategjike për pavarësinë energjetike dhe kthimin e Shqipërisë në një faktor kyç të sektorit energjetik të rajonit.

“Me SHBA nesër firmosim një marrëveshje për Skavicën. HEC-i i Skavicës do të financohet nga SHBA. Ky është një gjest fantastik i vullnetit të SHBA për t’i shprehur Shqipërisë konsideratën më të lartë për çka Shqipëria ka bërë e çka ne kemi bërë në qeverisjen e vendit në këtë periudhë, për të gjitha ato çështje që shprehen në letrën e Presidentit, por jo vetëm”, u shpreh Rama.

Më tej, Kryeministri theksoi se falë kësaj mbështetjeje do të mund të realizojmë një vepër të shumëndërruar që në vitet e vjetra, siç është Skavica me ndihmën e drejtpërdrejtë të SHBA.

Nga ana tjetër, vuri në dukje ai, është e qartë që me SHBA do të bëjmë gjëra të tjera në vijim, si rezultat i forcimit më shumë se kurrë i marrëdhënies së drejtpërdrejtë mes shtetit shqiptar e qeverisë së sotme dhe qeverisë së tyre.

Rama tha se sfida jonë e përbashkët me qeverinë e Kosovës është reforma e integrimit të sistemit elektroenergjetik, deri në administrim të përbashkët.

Diversifikimi i burimeve në një treg të integruar bashkërisht është potencial i madh. Ne kemi burime hidrike më shumë, pala tjetër termike dhe kombinimi i të dyjave do të ishte një histori suksesi e përbashkët.

Sipas Kryeministrit, SHBA-të kanë vendosur që në një numër të caktuar mbështetjeje shëndetësore me respiratorë, “pjesën e luanit” t’ia japin Shqipërisë./a.gjonaj/ /a.g//r.e/