Zyrtarë të shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara thonë se ka një tendencë shqetësuese të rritjes së rasteve me koronavirus. Ekspertët e sëmundjeve infektive gjithashtu kanë dalë kundër presidentit Donald Trump për sa i përket deklaratës se duhen ulur testimet në vend.
Ekspertët e shëndetit publik në SHBA kanë kundërshtuar pohimet e presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se testimet për kovidin e ri duhet shtuar, jo të pakësohen në mesin e krizës.
Entoni Fauçi, epidemiologu kryesor i vendit, dhe anëtarë të tjerë të grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë, dëshmuan të martën para Kongresit për shpërthimin e ri të rasteve me koronavirus.
Fundjavën e kaluar, presidenti Trump tha se rastet e reja nuk ishin domosdoshmërisht rrezik për jetën e qytetarëve ndaj ai kishte urdhëruar qeverinë e tij të ulë testimet dhe bilancin e të infektuarve, por kjo deklaratë u hodh poshtë të martën nga eksperti i sëmundjeve infektive.
“As presidenti, askush tjetër në administratën amerikanë nuk ka udhëzuar apo sugjeruar që të ulim testimet. Faktikisht ne po bëjmë të kundërtën, duam të testojmë më shumë dhe me cilësi më të lartë. Kushdo që analizon shifrat, që sheh se kemi 120 mijë vdekje dhe 2 milion e gjysmë të infektuar, e kupton se situata është serioze.”
Në SHBA mendohet se javët e ardhshme do të jenë kritike për ndalimin e lakores së epidemisë vdekjeprurëse.
Infeksioni dhe rastet e shtrimeve në spital po përhapen me shpejtësi në disa shtete amerikane, si Teksasi, Florida dhe Arizona, duke u shtrirë në shumicë mes moshave më të reja nën 35 vjeç.
Gjatë një tubimi elektoral me simpatizantët për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, kreu i shtetit sërish u mundua ta shpërfillë situatën duke vënë theksin te ringritja e ekonomisë dhe duke përsëritur me optimizëm se amerikanët kanë për ta kaluar shpejt sëmundjen e rëndë.
Në shtetin e Arizonës ku u organizua tubimi, mbajtja e maskave dhe distancimi social janë masa të detyrueshme, por si presidenti Trump, edhe shumë përkrahës të tij, refuzuan t’i mbanin.
Ekspertët amerikanë shpresojnë se do arrijnë të gjejnë një vaksinë kundër koronavirusit brenda fundit të vitit.
ora news