SHBA, zgjedhjet dhe rrjetet sociale, fshihen postimet e presidentit Trump, akuza për censurë

0
325

Rrjetet më të mëdha sociale në Amerikë dhe botë po punojnë për të mbrojtur procesin zgjedhor të nëntorit nga ndërhyrjet e huaja. Ekipi i presidentit Donald Trump vazhdon të flasë për censurë dhe favorizim të kundërshtarëve demokratëve.

Ndërhyrjet e huaja dhe siguria në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në SHBA ishin ndër temat kryesore që adresuan të enjten Kongresi amerikan dhe rrjetet më të mëdha sociale të botës.

Zyrtarë të kompanive amerikane Fejsbuk, Gugëll dhe Twiter deklaruan para Komisionit të Sigurimit në dhomën e ulët të Kongresit se teksa vendin e ndajnë rreth 4 muaj e gjysmë nga gara elektorale, ata nuk kanë vërejtur ndërhyrje të koordinuara nga aktorë të jashtëm.

Fejsbuku mësohet se punëson rreth 35 mijë persona vetëm për çështjet e sigurisë, dhe me rastin e zgjedhjeve, 40 ekipe të ndryshme janë dedikuar për mbarëvajtjen e procesit.

Megjithatë politikanët vendës kryesisht ata republikanë në krahun e presidentit Donald Trump thonë se ndjehen të diskriminuar pasi rrjetet sociale në shumicë favorizojnë zërat demokratë.

“Ne i renditim mesazhet sipas prirjes për manipulim sepse shohim se as njerëzit nuk duan të rendin pas ideve që krijojnë përçarje. Për shembull, nuk rekomandojmë ato konto që ndajnë gjithë kohën informacione të linjave të caktuara vetëm të marrë më shumë klikime. Algoritmet tona përkrahin debatin dhe bisedat publike.”

Sipas përfaqësuesve të Twiterit, ajo që vërehet në rrjetet sociale është kthimi i tyre në platforma manipuluese nga agjencitë shtetërore apo vetë qeveritë.

Debati për rolin e rrjeteve është intensifikuar në SHBA, pasi si Twiter, edhe Fejsbuku, disa herë i kanë etiketuar mesazhet e presidentit Trump për pasaktësi dhe përçarëse për publikun.

Rastet më të fundit janë fshirja e postimit me simbole të nazizmit dhe e një videoje të manipuluar që ekipi elektoral i presidentit dhe ai vetë hodhën një ditë më parë në të dyja mediet sociale.

Nga ana e tij, kreu i shtetit i ka akuzuar gjigantët amerikanë të internetit për censurë teksa afron gara presidenciale, duke paralajmëruar edhe ndërmarrjen e politikave përkatëse.

Të enjten, ligjvënësit amerikanë shprehën skepticizëm për zgjedhjet e sivjetshme dhe kapacitetet e medieve sociale për ndaljen e influencave të huaja.

Katër vite më parë, pas garës mes presidentit Trump dhe rivales demokrate, Hilari Klinton, opozita filloi një hetim me dyshimin se Rusia kishte ndërhyrë virtualisht për fitoren e 74-vjeçarit.

/Ora News.tv/