Shembje masive dheu janë regjistruar në zonën e Arrave të Gurrës, duke nxjerrë jashtë funksionit segmentin rrugor në këtë aks. Nga vendngjarja, drejtori i Shërbimit Gjeologjik, Adrian Bylyku, ka dhënë detaje mbi situatën dhe faktorët që çuan në këtë fenomen.
Bylyku shpjegoi se në strukturën e terrenit është krijuar një formë e ngjashme me hinkë, si pasojë e rrëshqitjes së masave të dheut. Sipas tij, ngjarja lidhet me një kombinim faktorësh natyrorë, ku ndikim të drejtpërdrejtë kanë pasur reshjet e dendura të shiut në muajt e fundit.
“Ka ndodhur një rrëshqitje sezonale, e cila si çdo rrëshqitje ka disa shkaqe. Elementi kryesor lidhet me përbërjen e tokës dhe kontributin e reshjeve në zonën e Arrave të Gurrës”, u shpreh ai për “News 24”.
Bylyku theksoi se, sipas të dhënave të disponueshme, nga dhjetori i vitit 2025 deri më tani, sasia e reshjeve ka qenë rreth trefish më e lartë krahasuar me mesataren e 10 viteve të fundit.
“Janë një kompleks faktorësh, por kryesori mbetet mbingopja e strukturës”, shtoi ai, duke nënvizuar se toka e tejmbushur me ujë ka humbur qëndrueshmërinë, çka ka çuar në rrëshqitjen masive.
Autoritetet po monitorojnë situatën në terren, ndërsa mbetet ende e paqartë se kur mund të rikthehet në funksion të plotë segmenti rrugor i dëmtuar.
A ka ndikuar ndërtimi i Korridorit VIII dhe gërryeja?
Adrian Bylyku: Në pjesën e një rrëshqitjeje janë disa faktorë që ndikojnë, por ka një faktor që është kryesori, ashtu si në këtë rast që është faktori i ujit. Dhe faktorët e tjerë nga përbërja e tokës, apo edhe ndërhyrjet që kanë bërë duhen mbajtur në konsideratë. Në këtë rast shërbimi gjeologjik po bën të gjitha vëzhgimet dhe duhet ende kohë për të marrë të gjitha informacionet. Gjeologjia është një shkencë multidisiplinale dhe kërkohen ekspertë të fushës. Padiskutim dhe me ekspertë të ARRSH dhe që ka kompania bashkëpunimi është prezent po shohim të gjitha opsionet, kryesorja është të përcaktojmë situatën dhe të japim sa më shpejt rekomandimet e duhura
A ka pasur sinjale që rrezikonin, pra ka pasur paralajmërime?
Adrian Bylyku: Nuk është përfshirë qoftë me projektin, mund të them që nga pikëpamja historike kjo është një zonë me karakteristika të rrëshqitjeve. Nga pikëpamja e monitorimit në periudhat e fundit shërbimi gjeologjik nuk ka qenë i përfshirë. E thash që zona në fjalë është problematike sa i përket rrëshqitjeve në fragmente të ndryshme këtu ka ndodhur. Kjo masë sigurie e marrë tani është shumë e rëndësishme, Roli i shërbimit gjeologjik është që nga ky moment ka nisur të përfshihet dhe sot po kërkojmë se si do të montojmë sondat e shpimit. Ne sapo kemi nisur nga pikëpamja gjeologjike dhe do bëjmë maksimumin për ato që na takon dhe në lidhje me pjesët e tjera gjëja është komplekse.


