Shembja e ndodhur në aksin kombëtar të rrugës Librazhd–Përrenjas, në afërsi të fshatit Dragostunjë, pritet të marrë një kohë të gjatë, në rastin më të mirë disa muaj punë, nëse ndiqen procedurat dhe standardet në fuqi, tha për “Monitor” një inxhinier brenda ARRSH-së, i cili për shkak të funksionit preferoi të mbetet anonim.
Defekti kërkon një zgjidhje inxhinierike krejt të re për t’u stabilizuar dhe për t’u riparuar, teksa specialisti i infrastrukturës e konsideroi dëmtimin më seriozin që ka ndodhur së fundmi.
Sipas tij, janë dy zgjidhje. I pari të ndërtohet një viadukt i ri që kërkon shumë kohë dhe ndryshim projekti nga fillimi, ose zgjidhja tjetër është gërryerja deri në themele e masës së dheut që është shembur.
Kompania ANK, që ishte kontraktuar për të kryer punimet, po merr në konsideratë variantin e dytë duke gërryer dheun dhe më pas të bëjë një trase te re.
Por masa e shembur përfshin volume të mëdha punimesh dhe gjithsesi kërkon shumë kohë. Të gjitha variantet e riparimit kërkojnë disa muaj, tha inxhinieri, i cili shtoi se mund të hapet një kalim emergjent, por nuk është i sigurt për automjete të rënda dhe kamionë.


