Aksi rrugor Ura e Shtrejtë – Prekal është bllokuar plotësisht për qarkullim, pas një shembjeje të konsiderueshme të trupit të rrugës, e cila dyshohet se është shkaktuar nga rrëshqitja e dherave, pas reshjeve intensive të 48 orëve të fundit.
Shembja është konstatuar në vendin e quajtur “Shkallë Logje”, një segment problematik i këtij aksi, ku masa të mëdha dheu kanë rrëshqitur drejt rrugës, duke e bërë atë të pakalueshme dhe potencialisht të rrezikshme për çdo mjet apo këmbësor.
Menjëherë pas sinjalizimit, në terren kanë ndërhyrë ekipet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Bashkisë Shkodër.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa pritet një vlerësim më i detajuar teknik për shkallën e dëmtimit dhe ndërhyrjet që do të nevojiten për rikthimin e qarkullimit normal.


