Nga David Hosaflook
Flitet shumë për sektet dhe kultet në Shqipëri. KLAN-i raportoi se ka 605 këtu! Nuk ka mundësi, gazetari duhet të ketë ngatërruar regjistrimin e një fondacioni si person juridik, me një kult të veçantë. Në Wikipedia listohen vetëm nja 515 në gjithë botën!
Por, meqë ngjarjet e këtyre diteve na frikësojnë për ndikimin e kulteve, dua t’ju jap ca këshilla, se si mund të ruhemi të gjithë, dhe si mund t’i ruajmë familjarët, nga kultet fetare. Ja disa që kam menduar:
1) Ruhu nga ushtrimi i presionit. Nëse ushtrohet presioni që të marrësh një vendim tepër të përshpejtuar, lidhur me përfshirjen në veprimtarinë e një grupimi, largohu.
2) Nëse nuk pranojnë që të bësh pyetje serioze, nëse nuk ndjen liri për të bërë pyetje hetuese, të shprehësh dyshimet dhe t’i eksplorosh ato, largohu menjëherë. (E njëjta gjë qëndron edhe në botën e financës personale, në marketing, pra, nëse një shitës të bën presion – “Bli sot produktin tim, sepse nesër do të jetë tepër vonë dhe kurrë nuk mund të kesh sukses përndryshe, e bli këtë me kredi” – vrapo o shok o shoqe!)
3) Kujdes nëse grupi është i mbyllur dhe ushtron aktivitetet e tij në mënyrë sekrete. Kujdes nga grupimet që flasin për një rreth të brendshëm sekret, një numër të veçantë njerëzish që do arrijnë Parajsën etj.
4) Ruhu nëse sekti të mëson se ti duhet t’i ndjekësh udhëheqësit, në mënyrë të verbër, ose që nuk ke të drejtë të dyshosh fjalën e tyre. Ruhu nëse nuk gjen hapësirë të bollshme të mendosh lirisht, të ushtrosh intelektin, dhe të shtrosh pyetje, kur diçka nuk të duket në rregull.
5) Ruhu nga çfarëdolloj udhëheqësi i cili / e cila e shpall veten të ketë disa fuqi të veçanta, ose të ketë njohuri të veçantë të mistereve. Sigurisht, ruhu nga ata që pohojnë të jenë hyjnorë, ose nga ata që të thonë se ti mund të bëhesh hyjnor.
6) Ruhu nëse grupi bën mashtrime, sado të vogla, për të rekrutuar ithtarë. Shumë kulte përdorin lojëra psikologjike. Ato të “bëjnë për vete”, duke u ofruar miqësi të ngrohtë njerëzve që janë të vetmuar. Nuk bëhet fjalë këtu për kishat që vërtet janë një komunitet vëllezërish dhe motrash në besim. Por kultet shpesh u bëjnë pre njerëzve që janë larguar paksa nga shoqëria, ose që sapo janë prishur me një shok o shoqe, duke ofruar pranim në një kohë delikate. Kultet synojnë të shfrytëzojnë këto raste, qëllimisht.
7) Kujdes nëse një grup të bën presion, që të largohesh nga familja jote apo nga miqtë që nuk po pranojnë të marrin pjesë me ty në atë grup.
8) Kujdes nëse dallon se ndjekësit po shfrytëzohen nga ana finaciare, psikologjike, emocionale dhe seksuale, e aq më tepër nëse, pas kryerjes së këtij shfrytëzimi, ata e fshehin këtë gjë, dhe të bëjnë presion ty që të mos i tregosh askujt. Vrapo te policia!
9) Kujdes nëse një njeri apo grupi mëson që vetëm ata mund të interpretojnë Librin e Shenjtë, dhe pa ndihmën e tyre apo ndihmën e botimeve të grupit të tyre, nuk mund të kuptosh kurrë Fjalën dhe vullnetin e Zotit. Nëse të ndalojnë të lexosh libra që japin këndvështrime të tjera të teologjisë, ose libra që kritikojnë besimin e tyre, largohu, se kjo quhet larje trush! Është shenjë që kanë frikë të zbulosh të vërtetën rreth sektit të tyre.
10) Ndoshta pika më e rëndësishme për të dalluar një kult/sekt, është ideja që të japin, që, nëse do të largohesh nga grupi, do t’ju gjejnë gjëra të tmerrshme në këtë jetë dhe do të jesh i mallkuar përjetësisht, pa asnjë shpresë rikthimi.
Sigurisht, nuk duhet të përmend edhe gjëra të tjera të skajshme, si p.sh. nëse kërkojnë që të vrasësh veten, o të luftosh në një tokë të huaj, o të luash me gjarpërinj, o të flijosh macen e komshiut – çdo gjë mund të gjesh në internet, por zakonisht kulti nuk fillon me këto gjëra, por së pari me besimin absolut tek iks udhëheqës, o profet, o organizatë.
Ruhuni!
(A.K.Dosja.al)