“Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit”, enigma e ditarit të familjes Josifi

0
335

Një javë pas vetëflijimit të nënë e bijë në zonën e Kombinatit dosja për zbardhjen e kësaj ngjarje apo të personave që kanë ndikuar në këtë vendimmarrje të dy grave ka mbërritur në prokurori.

Albert Demirneli është prokurori i cili do të kryesojë hetimet për këtë ngjarje, ndërsa tashmë janë marrë në dorëzim të gjitha provat materiale.

Në dosjen e akuzës janë marrë gjitha shënimet që nëna me dy vajzat kishin shkruar në një ditar të vitit 2018, si dhe dy biblat që ato i mbanin në banesë.

Këto shënime fetare që janë shkruar nga vajzat dyshohet nga prokuroria se kanë ndikuar në veprimet e grave, duke i çuar deri në vetëflijim.

Për këtë arsye këto shënime prokuroria është duke i verifikuar, se kujt sekti apo organizate fetare i përkasin këto pasazhe.

Krahas këtyre shënimeve në ditarin e tyre, ekspertet kanë gjetur dhe këto shënime në Bibël, të cilat po ashtu mendohet se janë përdorur si referencë nga familja Josifi.

Në një prej pjesëve të nënvizuara në librin e Dhiatës së Re nga motrat dhe nëna është dhe ky mesazh që thotë: Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët. Falas morët, falas jepni.

Po krahas kësaj pjese ato kishin nënvizuar dhe pjesë të tjera të cilat i kanë vënë në zbatim gjatë izolimit në banesën e tyre.

Në këtë mesazh thuhet: “Jini pra të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat. Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju zbarisin përpara sinedrave të tyre dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre”.

Burime nga grupi hetimor thanë se po analizohen me kujdes të gjitha shkrimet e gjetura në shtëpi, apo edhe nënvizimet që ato kishin bërë në librin e Dhiatës së Re.

Këto dhe shumë shënime të tjera duket se hedhin dritë mbi vendimin ekstrem të nënës e dy vajzave për t’u vetëflijuar.

Besimi në ringjallje duket se i kishte bindur deri në atë pikë, sa kanë qëndruar pa ngrënë për ditë e ditë të tëra, deri në vetëflijim.

Enigma e ditarit që u gjet në apartamentin e familjes Josifi, ende nuk është zbardhur plotësisht, ndërsa mësohet se 18 persona konsiderohen si dëshmitarë kyç për hetimet, duke përfshirë këtu të afër dhe fqinj, por edhe disa persona të tjerë me banim në Përmet.

ORA