Një përplasje e rëndë fizike ka ndodhur pak ditë më parë në burgun e Reçit në Shkodër, ku është rrahur Sokol Sanxhaktari, i dënuar me 15 vite burg për vrasjen e Florian Lamçes, ngjarje e ndodhur më 30 korrik 2020 në Elbasan.
Sanxhaktari, i cili njihet edhe si dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini (i ndarë nga jeta), është përfshirë fillimisht në një konflikt verbal me disa gardianë të institucionit të vuajtjes së dënimit.
Sipas burimeve, konflikti ka nisur pasi Sanxhaktari ka ofenduar rëndë një prej punonjësve të burgut. Gardianët kanë tentuar ta neutralizojnë dhe ta qetësojnë situatën, por pa sukses. Më pas, në përplasje ka ndërhyrë edhe Safet Bajri, i izoluar në burgun e Reçit me urdhër të SPAK, i akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër.
Mes Sanxhaktarit dhe Bajrit janë shkëmbyer fyerje dhe ofendime, çka ka çuar në një përplasje fizike, ku janë përfshirë edhe persona të tjerë të afërt me Bajrin. Si pasojë, Sokol Sanxhaktari është rrahur dhe ka pësuar dëmtime.
Burimet bëjnë me dije se sherri është favorizuar edhe nga kushtet e sigurisë në sektorin përkatës, ku dyert e brendshme të dhomave qëndrojnë të hapura, duke u mundësuar të dënuarve dhe paraburgosurve lëvizje të lirë mes dhomave.
Pas ngjarjes, Sanxhaktari është nxjerrë nga sektori ku ndodhi përplasja dhe është akomoduar në një sektor tjetër të burgut.
Ky nuk është rasti i parë kur të dënuar të profilit të lartë, të izoluar në burgjet shqiptare, përfshihen në konflikte dhe përplasje të dhunshme brenda ambienteve të sigurisë së lartë.
Marrë nga JOQ


