Sherri me armë dhe sende të forta në Sarandë/ Burg për dy nga policët, lirohen 6 të tjerët

0
2

Ka nisur mesditën e së dielës dhe ka zgjatur për mbi 5 orë seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj 8 autorëve të dyshuar të plagosjes me sende të forta dhe tentativës së vrasjes me armë zjarri të Enea dhe Albion Nexhipit në 2 janar në Gjashtë të Sarandës.

Efektivët e policisë Alvaro, Ilkid, Mihal dhe Ergis Sulejmani si dhe Kejvis Sulejmani, Shemsho Sulejmani, Kristjan Xhaferi e Delars Duka janë sjellë në gjykatë nën masa të rrepta sigurie të shoqëruar nga forcat “Shqiponja” të Komisariarit të Policisë Sarandë dhe një furgon i FNSH.

Pasi ka individualizuar akuzat për secilin nga të dyshuarit, akuza më e rëndë prej të cilëve ka qenë për efektivin Alvaro Sulejmani, Prokurorja Silvana Belishta ka kërkuar vleftësimin e ligjshëm të ndalimin dhe caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për këtë të fundit dhe vëllanë e tij Ilkid Sulejmani dhe “detyrim paraqitje” për gjithë të tjerët.

Akuzat ndaj tyre, secili sipas përgjegjësisë personale, ishin “plagosje e lehtë me dashje”, “kanosje”, “kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “shkatërrim i pronës” e “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Për veprën e fundit Prokuroria akuzon vetëm efektivin e policisë Alvaro Sulejmani, 36 vjec me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë.

Pas mbrojtjes nga avokatët, Gjyqtari Mexhit Doçi ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë, vleftësimin të ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për Alvaro e Ilkid Sulejmani dhe “detyrim paraqitje” për 6 të dyshuarit e tjerë, mes të cilëve një efektiv policie dhe një student i Akademisë së Policisë.

Në përfundim të seancës, avokatët mbrojtës Arben Llangozi dhe Gjergj Imeraj deklaruan se “nga provat e administruara, nuk kishte ndonjë rezultat që mund të fajësoheshin apo mund të ishin të implikuar në krime aq të rënda sa akuzohen. Ishte një ngjarje që erdhi si pasojë e tentativës për të sqaruar një problem, që familjarët e autorëve mos të konfliktoheshin me viktimat. Alvaro Sulejmani është shprehur se ka pasur njohje të mëparshme me viktimat dhe se kërkon ndjesë për cka ka ndodhur. Natyrisht do ta apelojmë vendimin e sotëm”.

Në kërkim për ngjarjen vazhdojnë të jenë dy persona të tjerë, mes të cilëve një ish-efektiv i Komisariatit të Policisë Sarandë.