Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, në orën 15:30, të datës 20.01.2025, bënë arrestimin në flagrancë, të shtetases K. C., 26 vjeçe, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Më datë 20.01.2025, në orën 02:34 të mëngjesit, shtetaset E. V., 22 vjeçe, dhe Xh. V., 24 vjeçe, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 për kallëzim, për një konflikt që kishin pasur me disa shtetase të tjera në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, por nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi personat e përfshirë apo mjetet e përdorura.
Shërbimet e Policisë i kanë informuar ato mbi mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla dhe procedurat që duhen ndjekur. U është kërkuar të presin për marrjen e kallëzimit nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, por shtetaset janë larguar nga Komisariati në orën 02:38, pa përfunduar procedurën e kallëzimit.
Nga hetimet rezulton se, pas largimit nga Komisariati, shtetaset E. V. dhe Xh. V. (motra) dyshohet se kanë shkuar në banesën e shtetases K. C. dhe janë konfliktuar fizikisht. Gjatë këtij konflikti, shtetasja K. C. dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasen E. V., e cila aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Theksojmë se Komisariati i Policisë Nr. 2 ka ndjekur me përpikëri procedurat ligjore dhe ka qenë i gatshëm për trajtimin e rastit, dhe në asnjë moment nuk u është refuzuar marrja e kallëzimit. Kjo është e dokumentuar edhe me pamjet filmike të Komisariatit të Policisë Nr. 2, që tregojnë veprimet e punonjësve të Policisë dhe të dy shtetaseve dhe kohën e qëndrimit të tyre prej 4 minutash në Komisariat. Pas kësaj, ato janë larguar duke mos përfunduar procedurën e kallëzimit.