Shifrat e papunësisë, INSTAT: Vetëm 2800 vende pune të humbura nga kriza

0
152

Turizmi ndihmoi në zbutjen e papunësisë, madje duke rikuperuar edhe efektin e mbylljes së ekonomisë për shkak të Covid-19.

Të dhënat zyrtare që raporton INSTAT, tregojnë për një rënie të shkallës së papunësisë në 11.6% në periudhën korrik-shtator, kundrejt kulmit prej 11.9% të shënuar në tremujorin e dytë.

Ndërkohë, krahasuar me një vit më parë, papunësia shënoi një rritje me 0.2 pikë përqindje, edhe pse bizneset që operojnë në fushën e turizmit shprehen se këtë vit operuan me kapacitete të reduktuara kundrejt sezonit veror 2019.

Në shifra konkrete, Instituti i Statistikave llogarit rreth 164 mijë persona të papunë, apo vetëm 2800 më shumë se përpara krizës. Edhe këto vende pune të humbura llogariten kryesisht në bujqësi, sektori i vetëm që nuk u prek nga pandemia, ndërsa shërbimet, sektori më i prekur ka krijuar më shumë vende pune.

Një nga arsyet për këtë shifër, që duket se bie ndesh me zhvillimet e tregut të punës, është edhe fakti se INSTAT nuk i liston si të papunë, të vetëpunësuarit dhe ata persona që nuk kanë qenë të punësuar gjatë kësaj periudhe, por që prisnin t’i ktheheshin aktivitetit brenda tre muajsh.

A2