Shifrat “hedhin poshtë” Thiago Mottën, Juvja e tij më keq se sa ajo e Allegrit, në Torino po humbasin durimin

0
2

Juventusi i Thiago Motta po zhvillon një sezon të vështirë, me paraqitje të pasigurta. Pavarësisht sinjaleve të “mosdorëzimit”, siç ishte rikthimi nga disavantazhi 2-0 në barazimin final 2-2 kundër Bologna, ekipi bardhezi duket se është bllokuar në një moçal të mesatarësisë, me një vend të gjashtë në klasifikim dhe garim në Ligën e Kampionëve më të komplikuar se sa pritej.

“Zonja e Vjetër” ka grumbulluar 11 barazime në 20 ndeshje sezonale, një shifër që kontribuon në ndjenjën se “po jeton”, por pa arritur të bëjë kapërcimin në cilësi. Sa iu përket numrave, Juventusi i Motta është pas në krahasim me fazën e njëjtë të sezonit të kaluar nën drejtimin e Massimiliano Allegrit. Më saktësisht, ka 9 pikë më pak krahasuar me sezonin e kaluar. Pavarësisht se numrat e golave të shënuar dhe të pësuar janë të ngjashëm (23-9 sezonin e kaluar, 23-10 këtë sezon), ekipi nuk duket se ka pasur kthesë vërtetë, me një sulm që ka vështirësi në finalizim.

Dallimi më i dukshëm është në statistikat e goditjeve. Nëse sezonin e kaluar, Juventusi gjuante më shumë, këtë sezon është i teti për goditje totale dhe i nënti për goditje në portë në Serie A. Kritikat kanë ardhur gjithashtu nga ish-lojtarë si Marco Tardelli dhe Alessandro Del Piero. Tardelli theksoi se Juventusi i Motta duket edhe më mbrojtës se ai i Allegrit, ndërsa Del Piero theksoi se skuadrat kundërshtare nuk kanë frikë më nga Juventusi, një shenjë që shqetëson për identitetin e saj të lojës.

Në këtë kontekst, krediti i Motta brenda ambientit juventin duket se po zvogëlohet, trajneri ndodhet nën presion për ta zgjidhur situatën, por tekniku është në garë me kohën, pasi në Torino, tifozëve “bardhezi” po u soset durimi.