Policia e Tiranë ka vënë në pranga një çift që merrej me shpërndarjen e drogës në kryeqytet.
Operacioni i koduar “Mix” vuri në pranga J. Q., 41 vjeç, i dënuar më parë dhe A. S. 37 vjeçe, të dy banues në Kombinat.
Ata shpërndanin në doza lëndë narkotike të të gjitha llojeve.
Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan lëndë narkotike kokainë, kanabis dhe marijuanë e përpunuar në formë çokollate, LSD, MDMA, metamfetaminë, fishekë luftarak, fara kanabis për kultivim, peshore elektronike dhe një sasi të hollash.
“Në rrugën “Komuna e Parisit”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke ndaluar automjetin që drejtohej nga shtetasi J. Q. dhe kishte pasagjere shtetasen A. S. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar shtetasve të sipërpërmendur dhe gjatë kontrollit të banesës së tyre janë gjetur dhe sekuestruar droga të llojeve të ndryshme si cannabis sativa, kokainë, metamfetamine dhe MDMA, peshore elektronike, fishekë luftarakë, disa aparate celularë dhe një sasi të hollash”.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se shtetasi J. Q., së bashku me shtetasen A. S., merreshin me shitjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë, cannabis sativa dhe lloje të ndryshme të drogave sintetike në zonën e “Lulishtes 1 Maji” dhe në rrugën “Komuna e Parisit”.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasit J. Q., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, si dhe në ngarkim te shtetases A. S., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.
oranews