Dy shtetas janë vënë në pranga nga policia e Vlorës, pasi shisnin lëndë narkotike kanabis në doza kryesisht në lokale dhe në lagje të ndryshme.
Blutë kanë sekuestruar dhjetëra doza kanabis, një shumë eurosh të dyshuar të përfituar nga kjo veprimtari kriminale si dhe 2 celularë.
Njoftim:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e patrullës së përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë, bazuar në inteligjencën policore se dy shtetas shitnin lëndë narkotike kanabis në doza, organizuan punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe kontrolleve të ushtruara mëngjesin e datës 27.01.2025, në lagjen “Uji i Ftohtë”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- Sh., 22 vjeç, dhe E. H., 28 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre dy shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan lëndë narkotike kanabis të ndarë në rreth 100 doza, një shumë eurosh të dyshuar të përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 2 celularë.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, pasi siguronin lëndën narkotike kanabis, e përgatitnin atë në doza me qëllim shitjen, kryesisht në lokale, në lagje të ndryshme të qytetit të Vlorës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
(BalkanWeb)