Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës pasi shiste doza kanabisi dhe kokaine.
Bëhet me dije se ai u ndalua duke drejtuar pa leje drejtimi një automjet të cilin e përdorte për këtë veprimtari kriminale.
Blutë kanë sekuestruar dozën e lëndëve narkotike dhe automjetin.
Njoftim i Policisë:
Në vijim të kontrolleve intensive në zonat turistike të qarkut Shkodër, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale gjatë sezonit veror, shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në Velipojë.
Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi K. Gj., 20 vjeç, banues në Velipojë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën nr. 9, në Pulaj Plazh, Velipojë, duke qarkulluar me një automjet pa dokumentacion, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën diza doza kokaine.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhjetëra doza kanabisi dhe qese të vogla për ndarjen e lëndëve narkotike, në doza.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.