Shitja e fishekzjarrëve dhe artikujve piroteknikë, vendoset moshë minimale për çdo kategori

0
219

Një projektligj “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë” vendos për herë të parë moshën minimale të blerjes sipas riskut që paraqet secila kategori. Draftligji i nxjerrë tashmë për konsultim detajon kategoritë e fishekzjarrëve dhe distancën e sigurisë për përdorimin e tyre, artikujt piroteknikë teatratë  si dhe kategoria e tretë që përfshin artikujt e tjerë piroteknikë.

Sa i takon fishekzjarreve drafti i ndan ato në katër kategori duke vendosur për secilin specifikimet përkatëse.

Kategoria F1: Fishekzjarrët që paraqesin rrezik shumë të ulët dhe nivele zhurme të papërfillshme dhe të cilët kanë për qëllim të përdoren në ambiente të izoluara, duke përfshirë fishekzjarrët që kanë për qëllim të përdoren brenda vendbanimeve;

Kategoria F2: Fishekzjarrët që paraqesin rrezik të ulët dhe nivele të ulëta zhurme dhe që kanë për qëllim të përdoren jashtë në ambiente të izoluara;

Kategoria F3: Fishekzjarrët që paraqesin rrezik të mesëm, të cilët kanë për qëllim të përdoren në ambiente të hapura dhe të mëdha dhe që kanë nivel të zhurmës, e cila nuk dëmton shëndetin e njeriut;

Kategoria F4: Fishekzjarrët që paraqesin rrezik të lartë, të cilët kanë për qëllim të përdoren vetëm nga personat me njohuri të specializuara (zakonisht, njihen si fishekzjarrë për përdorim profesional) dhe të cilët kanë nivel të zhurmës që nuk dëmton shëndetin e njeriut.

Kufizimet e moshës për përdorimin

Drafti parashikon se për secilën kategori ka një kufi minimal moshë që mund t’i shiten. Artikujt piroteknikë nuk u shiten apo vihen në dispozicion konsumatorëve nën kufijtë e mëposhtëm të moshës :

“ Fishekzjarrët:  kategoria F1: 12 vjeç; kategoria F2: 16 vjeç; kategoria F3: 18 vjeç;

Për artikujt piroteknikë teatralë: kategoria T1 : 18 vjeç;

për  artikujt e tjerë piroteknikë: i.       kategoria P1: 18 vjeç.

Ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike mund të rrisë kufijtë e moshës të përcaktuar në paragrafin 1, kur kjo justifikohet për arsye të rendit dhe sigurisë publike.

Prodhuesit, importuesit dhe shpërndarësit i shesin apo i vënë në dispozicion vetëm personave me njohuri të specializuar, artikujt e mëposhtëm piroteknikë:

Fishekzjarrët e kategorisë F4; Artikujt piroteknikë teatralë të kategorisë T2; Artikujt e tjerë piroteknikë të kategorisë P2.

Artikujt e tjerë piroteknikë të kategorisë P1 për automjetet, përfshirë airbag dhe sistemet e tendosjes së rripave të sigurimit, nuk i vihen në dispozicion publikut të gjerë, nëse nuk janë të inkorporuara në një automjet apo në një pjesë të ndarë të automjetit” thuhet në draft.

Monitor