Shkëmbimi automatik i informacionit/ Penalizimet për mosplotësimin e formularit të vetëdeklarimit

0
244

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rikujton individët dhe tatimpaguesit të cilët zotërojnë një llogari financiare, të bashkëpunojnë me institucionet financiare përkatëse për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit.

Për të luftuar problemin e evazionit fiskal offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit, autoritet tatimore, në bashkëpunim me vendet e G20 dhe OECD, krijuan një standard të përbashkët të raportimit (CRS) mbi shkëmbimin automatik të informacionit (AEOI).

Kjo kërkon që institucionet financiare të një juridiksioni raportues, të mbledhin dhe raportojnë informacion tek autoritetet e tyre tatimore në lidhje me mbajtësit e llogarive te cilët janë rezidentë të shteteve të tjera. Një informacioni i tillë duhet të transmetohet “automatikisht” për çdo vit.

Informacioni për t’u shkëmbyer përfshin balancat e llogarive financiare në fund të vitit që raportohet, fitimet kapitale (përfshirë interesat, dividendët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare), të raportuara te qeveritë nga institucionet financiare, duke mbuluar llogaritë e mbajtura nga individët dhe entitetet përfshirë trustet dhe fondacionet.

Sipas standardit, një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë balancat e llogarive dhe të pronësisë. Kjo do të bëjë të mundur parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal, brenda logjikës se veprimtaria e evazorëve jo vetëm zvogëlon të ardhurat publike, por dhe dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor, si dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm.

Shqipëria është zotuar të shkëmbejë informacion automatikisht në vitin 2020.

Mosdhënia e informacionit të mësipërm nga çdo mbajtës i llogarive të raportueshme apo person tjetër përgjegjës, konsiderohet kundërvajtje administrative dhe penalizohet.

Veprimet ose mosveprimet e kryera nga institucionet financiare raportuese apo persona të tjerë përgjegjës, të cilat janë në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji, konsiderohen kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë.

Mosdorëzimi në afat i informacionit të detyrueshëm për t’u raportuar dënohet me gjobë 10 mijë lekë.

Dorëzimi i pasaktë i informacionit të detyrueshëm për t’u raportuar, jo në përputhje me nevojën dhe formën e përcaktuar në këtë ligj dënohet me gjobë 50 mijë lekë.

Mosdhënia e informacionit të kërkuar nga çdo mbajtës i llogarive të raportueshme ose person tjetër përgjegjës, në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, përveç nëse ky informacion ka të bëjë me një person të tretë dhe provohet se mosveprimi nuk ishte i qëllimshëm, dënohet me 1 milion lekë gjobë.

Kryerja e deklarimit të rremë nga çdo mbajtës i llogarive të raportueshme ose person tjetër përgjegjës, në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, dënohet me 1.5 lekë gjobë.

Pengimi nga personat përgjegjës, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me qëllim mosushtrimin e të drejtave dhe detyrave të Autoritetit Kompetent, të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij, dënohet me 1 milion lekë gjobë. /a.gjonaj//a.a/