Shkolla e mesme bujqësore në Cërrik do të kthehet në një qendër të rëndësishme për bujqësinë dhe aftësimin e të rinjve, për ata të cilët janë profesionistët e të ardhmes e do të kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë dhe dijes.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e cila vizitoi këtë shkollë një ditë më parë, e shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku bëri të ditur se investimet e planifikuara për rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve të konviktit të kësaj shkolle i hapin rrugën regjistrimeve edhe nga qarqet përreth, për çdo të ri që kërkon ta formojë të ardhmen e tij në bujqësi.
Denaj theksoi se të rinjtë gjithnjë e më shumë po shfaqin interes për arsimin profesional me drejtim bujqësinë.
“E lumtur që pashë nga afër interesin e shtuar të të rinjve në bujqësi, pranë Shkollës së Mesme Bujqësore të Cërrikut Një qendër e rëndësishme për bujqësinë dhe aftësimin e të rinjve, atyre të cilët janë profesionistët e të ardhmes e do të kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë dhe dijes. Do të ndërtojmë në këtë shkollë konviktin me 200 shtretër, duke hapur rrugën për regjistrime edhe nga qarqet përreth, për çdo të ri që kërkon ta formojë të ardhmen e tij në bujqësi”, u shpreh Denaj.
Në 35 shkollat profesionale në të gjithë vendin janë përfshirë 22 drejtime mësimore, 87 profile profesionale kryesisht në hoteleri-turizëm, shkenca kompjuterike, shkenca mekanike, tekstile, bujqësi, etj.
Të dhënat tregojnë se gati 60 % e punëkërkuesve me arsim profesional hyjnë në punë që vitin e parë, pas përfundimit të edukimit.