Shkumbini do të drejtohet nga një italian. Biznesmeni Alesandro Borrela ka blerë 75% të aksioneve të klubit, që i jep atij statusin e presidentit. Marrëveshja e cila u zyrtarizua të hënën, ishte në fakt dëshira e shprehur që prej muajit gusht nga të dyja palët. Këtë e sqaron vetë kryebashkiaku i Peqinit, Lorenc Tosku, i cili e cilëson si një arritje të madhe jo vetëm për skuadrën, por për të gjithë qytetin që jeton me ndjenjën e dashurisë për futbollin.
“Me kënaqësi të madhe po ju pohoj se kemi arritur marrëveshjen zyrtare de facto të shitjes së 75% të aksioneve të klubit Shkumbini te biznesmeni italian Alesandro Borrela, me të cilin ishim në negociata që prej muajve të verës. Ka qenë një marrëveshje që ka dashur kohën e vet për t’u realizuar, pasi më parë stafi i bashkisë që unë drejtoj, është konsultuar sa i takon aspektit juridik për të konkluduar në mënyrën e duhur për të dyja palët.
Presidenti i zyrtarizuar tashmë Alesandro Borrela është një biznesmen i suksesshëm në Itali dhe nëpërmjet përfaqësuesve të tij shprehu dëshirën për të investuar në ekipin e futbollit tonë. Unë i garantova të gjithë hapat juridikë sipas procedurave të privatizimit dhe tani ky proces u finalizua me sukses. E garantojmë presidentin Borrela se nuk do të zhgënjehet aspak, jo vetëm nga angazhimi i skuadrës sonë, por edhe nga mbështetja e madhe që do të ketë kur të rikthehen sportdashësit në stadium. Ne shpresojmë shumë që dëshira e presidentit të konkretizohet me investime dhe me arritjen e ekipit që është rikthimi në elitën”, përfundoi Tosku.
Panorama sport