“Shkurti mbyllet me reshje, marsi do të sjellë diellin”, meteorologia tregon si pritet të jetë moti në ditët në vazhdim

0
24

Prej fillimit të këtij muaji, vendi ynë është përfshirë nga reshje të vazhdueshme shiu, ndërsa sipas parashikimeve, kushtet e paqëndrueshme atmosferike do të vijojnë edhe gjatë javëve në vijim.

E ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave bëri të ditur se muaji shkurt po mbyllet me temperatura mbi mesataren shumëvjeçare, ndërkohë që reshjet do të mbeten prezente pothuajse gjatë gjithë javës.

“Edhe për këtë vit, shkurti rezulton me temperatura mbi mesataren shumëvjeçare. Reshjet do t’i kemi prezente gjatë kësaj jave. Për ditën e sotme dhe të nesërme do të kemi reshje mesatare deri në intensive në qarqet: Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrrës, Tiranë, Vlorë, Gjirokastët dhe Elbasan”, tha Gjoni.

Sipas saj, dita e mërkurë do të sjellë një ndërprerje të përkohshme të reshjeve dhe rënie të temperaturave, por situata do të ndryshojë sërish në vijim të javës.

“Dita e mërkurë do të sjellë ndërprerjen e reshjeve dhe uljen e temperaturave. Përgjatë këtyre gjatë këtyre dy ditëve në lartësitë 600 m mbi nivelin e detit do të kemi reshje dëbore në Alpe dhe në lindje. E enjtja rikthen reshjet në të gjitha qarqet. Edhe java e fundit të reshjeve do të mbyllet kështu. Do të jetë muaji mars ai që do të sjellë ndërprerjen e reshjeve dhe rikthimin e diellit”, theksoi Gjoni.

Sa i përket temperaturave për ditën e nesërme, ato parashikohen 9–10 gradë Celsius në zonat bregdetare, 6–9 gradë Celsius në zonat e ulëta dhe -1 deri në 4 gradë Celsius në zonat malore.

Ndërkohë, të mërkurën në zonat malore temperaturat minimale pritet të zbresin deri në -5 gradë Celsius, çka sipas Gjonit do të sjellë prezencë ngricash në rrugë. Për këtë arsye, drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Ardit Murataj