Shlyhen sot pagesat e prapambetura për policët, Proda urdhër: Çdo vonesë ju ngarkon me përgjegjësi

0
2

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka dhënë urdhër Departamentit për Shërbimet mbështetëse në DPPSH, që brenda ditës së sotme të kalojnë në thesar pagesat e prapambetura të punonjësve të Policisë.

“Brenda ditës së sotme, çdo njësi buxhetore të kalojë në thesar pagesat e prapambetura të punonjësve të Policisë.

Çdo vonesë ju ngarkon me përgjegjësi”, thuhet në urdhrin e Prodës.
Pagesat përfshijnë orët suplementare, orët e natës, dietat e prapambetura, shumat në lidhje me dietat ushqimore dhe çdo pagesë tjetër e parapambetur.

Nga të gjitha njësitë buxhetore prej mëngjesit të sotëm po kryhen veprimet me thesarin për të kaluar pagesat.
Shuma e cila ka kaluar me anë të Aktit Normativ është 1.5 mld lekë, shumë e cila nuk ka të bëjë me shpërblimet, por vetëm me pagesat e prapambetura.