Zona e Shmilit në Labinot Mal të Elbasanit është ndër prodhuesit më të mëdhenj të gështenjës në vend. Prodhimi vjetor i kalon 300 ton dhe pjesa me e madhe e produktit eksportohet në Francë për industrinë përpunuese.
- “Deri më tani kemi eksportur 18 kamionë me gështenja. Atje e çojmë për industri jo për konsum”, tha ai.
Megjithatë, banorët e zonës përballen me vështirësi të mëdha. Mungesa e rrugëve lidhëse mes fshatrave, ujit dhe fuqisë punëtore po e zbehin potencialin e kësaj zone të njohur për prodhimin e geshtenjave e arrorëve.
- “Na duhet vetëm rruga që lidh fshatrat, se ne punojmë, mbledhim gështenja dhe mbareshtojmë delet, por s’kemi si ta nxjerrim prodhimin tonë në treg,” thonë banorët, që shpesh detyrohen ta transportojnë prodhimin me mushka.
Vetëm në fshatin Dritas, që ndodhet 1300 metra mbi nivelin e detit, gjenden rreth 50 hektarë me gështenja por jo i gjithë prodhimi del në treg.
- “Gështenja e madhe prodhohet në fshatin tonë, por si ta çojmë pa rrugë? Na duhet ndërhyrja e shtetit,” shtojnë banorët.
Po kështu banoret kërkojnë spërkatje ajrore kundër insekteve në mënyrë qe të rritet sasia dhe cilësia e prodhimit.
- “Nëse bëhet spërkatja ajrore për insektet, shtohet prodhimi dhe rritet cilësia. Aktualisht nuk bëhet asnjë trajtim, dhe kjo ndikon në sasinë e gështenjave,” shprehen ata.
Çmimi i gështenjës varion nga 100 lek/kg për ato me cilësi të ulët, deri në 200 lek/kg për cilësinë e lartë.
- “Ne e mbledhim, por shpesh nuk ia vlen. Lodhemi shumë dhe në fund çmimi bie. Në treg shiten me 2 apo 3 mijë, ndërsa ne i japim me 1 mijë. Megjithatë, nuk ankohemi, duam veç rrugë e ujë,” – thonë banorët.
Një tjetër problem është mungesa e fuqisë punëtore, pasi të të rinjtë janë larguar në emigrim dhe në fshatra kanë mbetur vetëm të moshuarit.
- “Fshati është boshatisur, shtëpitë janë shembur. Fëmijët janë në emigrim, unë kam djalin në Greqi dhe po mendoj të iki, se s’ka ujë. I mbjellim produktet bujqësore, por nuk kemi me çfarë t’i ujitim. Na ka hyrë mërzia këtu se s’kemi as fëmijët, as shpresë,” rrëfejnë ata.
Edhe pse gështenja nuk i lë banorët pa të ardhura, mungesa e shërbimeve dhe e investimeve e bën jetën e tyre të vështirë.
- “Unë nuk e lë fshatin, por duhet investim. Ne punojmë, por pa rrugë e pa ujë nuk ka si të jetojmë,” përfundon një prej banorëve.
- “S’ka kush t’i shërbejë gështenjës, nuk ka më fuqi punëtore. Fshati është braktisur, por prodhim ka, pyje plot me gështenja,” thonë banorët e zonës.
Banorët e Labinot Mal kërkojnë nga shteti të ndërhyjë me investime konkrete, sidomos per rruget por dhe me programe mbeshtetese për bujqesine e pemtarine.
Shqiptarja.com


