Prokuroria e Kurbinit përfundon hetimet për ish-agjentin e Operacionales Jeton Lami të akuzuar për shpërdorim detyre. Ish-polici kishte shoqëruar ish-bosin e lojërave të fatit Ervis Martinaj para se të zhdukej.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Prokuroria në përfundim të 6 muajve ka vendosur të ngrejë akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj agjentit të Forcës Operacionale duke arsyetuar se ai kishte detyrë funksionale të arrestonte personat e shumëkërkuar, por në vend që të zbatonte këtë detyrë, ai ka vendosur ta shoqëronte 40-vjeçarin, baba të 4 fëmijëve dhe t’i garantonte paprekshmërinë nga forcat e policisë.
Për këtë arsye pak ditë më parë prokurori i çështjes ka shkuar në ambientet e paraburgimit të sigurisë së lartë ku mbahet Jeton Lami, i ka komunikuar akuzat dhe sipas ligjit është duke pritur afatin 10-ditor që avokatët e Jeton Lamit të kthejnë pretendimet e tyre sikurse e parashikon procedura dhe më pas dosja penale pritet t’i dorëzohet gjykatës për gjykim paraprak.
Është gjykata më pas që do të vendosë nëse akuza është kualifikuar si duhet. Përfundimi i hetimeve vjen para mbarimit të afatit prej 6 muajsh. Sipas ligjit, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës një person nuk mund të mbahet në burgim më gjatë se 6 muaj.
Me shumë gjasë, Lami do të gjykohet në Gjykatën e Lezhës për shkak të hartës së re gjyqësore.
Për shkak se Jeton Lami po dërgohet për gjykim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, prokuroria ka vendosur ta ndajë çështjen penale, atë ku po heton për një rrëmbim të mundshëm dhe zhdukje të Ervis Martinajt. Hetimet për këtë çështjes do të vijojnë derisa nuk ka afate, pasi bëhet fjalë për një ngjarje që dyshohet të jetë e rëndë. Familjarët e Ervis Martinaj dhe konkretisht xhaxhai i tij denoncoi humbjen e kontakteve me nipin në datën 9 gusht dhe prej atëherë prokuroria ka regjistruar një procedim penal nën dyshimet për rrëmbim dhe zhdukje të Ervis Martinajt, por deri tani nuk ka të dhëna konkrete që mund të përcaktojnë fatin e tij.
Paralelisht SPAK është duke hetuar Ervis Martinajn dhe e ka ende në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të dyshimeve se kishte tentativa për të urdhëruar vrasjen e kundërshtarit të tij Indrit Dokle, por nga tjetër edhe kjo prokurori nuk e ka të qartë fatin e Ervis Martinajt. Ndërkohë që Ervis Martinaj u shpall në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” pas dëshmisë së Nuredin Dumanit. Në kuadër të këtij hetimi prokuroria ka urdhëruar kontrollin e disa banesave të tij dhe pak ditë më parë vendosi të sekuestrojë disa nga pasuritë e Martinajt dhe familjarëve të tij në dyshimin se vijnë nga aktiviteti i paligjshëm ku ishte përfshirë 40-vjeccari.
(BalkanWeb)