Shpallet fajtor për korrupsion aktiv, dënohet me 4 muaj burg Artur Gashi

0
34

Artur Gashi është shpallur fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar Gashin me 4 muaj burg, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin në gjyq të procedimit penal me nr. 249/2020, në ngarkim të të pandehurit Artur Gashi, për akuzën “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Ardit Mustafaj dhe Bib Ndreca, me vendimin Nr. 66, datë 05.11.2024 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Gashi për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, para ndryshimeve që janë bërë me ligjin nr.43 të vitit 2021 dhe dënimin e tij me 6 muaj burgim.

2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Artur Gashi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht dënohet me 4 muaj burgim.

3. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi duke mbajtur në konsideratë edhe kohën e qëndrimit në masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

4. Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.

5. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

 

Top Channel