Shpallet lista, ja sa para do të marrin fermerët nga shteti

0
2

Është shpallur lista përfundimtare e fermerëve që do të përfitojnë fonde në bujqësi.

Janë mbi 14 mijë fermerë që do të marrin subvencione nga Skema Kombëtare në bujqësi, nga mbi 15 mijë aplikime që kishin kaluar fazën e parë të përzgjedhjes. Ndërkohë që mbi 52 mijë fermerë të tjerë janë përfitues të naftës pa akcizë.

Por sa para do të marrë mesatarisht çdo fermer, për të kuptuar edhe ndihmën reale që jepet nëpërmjet skemës kombëtare për bujqësinë?

Në total, për këtë vit janë përfitues rreth 67 mijë fermerë, ndërsa fondi i vënë në dispozicion është rreth 32 milionë euro. Sipas përllogaritjeve, i bie 477 euro për fermer.

Një shumë e pamjaftueshme për të ndihmuar fermerët dhe sektorin, që sot nuk ndodhet në ditët e tij më të mira.

Pesha e bujqësisë në ekonomi ka ardhur duke u tkurrur në vite.

Megjithatë ky sektor jep ende kontributin më të lartë, duke arritur në 16.2% të Produktit të Brendshëm Bruto, punëson 33% të totalit të fuqisë punëtore në vend, ndërsa përfiton vetëm 1% të totalit të kredisë bankare, duke qenë e nënfinancuar. Kjo pasi konsiderohet një biznes i ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta, siç janë përmbytjet apo breshëri që dëmton prodhimin.

Bujqësia ka hyrë tashmë në cikël rënës, e ndikuar nga njëra anë, nga pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në anën tjetrën, që e kanë përkeqësuar klimën në sektor, sidomos në blegtori.

Vitin e kaluar, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.69%. Kjo ndodhi në një kohë kur ekonomia u rrit me 3.5%, çka dëshmon se sektori është lënë tashmë në rënie të lirë.