Shpejtësi deri 170 km/h, policia pezullon gjatë natës 15 patenta

0
366

Policia Rrugore vijon të ushtrojë kontrollet me radar edhe gjatë orëve të vona të natës, në akset kryesore të vendit.

Policia e Shtetit bën të ditur se gjatë natës së mbrëmshme ka ushtruar kontrolle në autostradën Tiranë-Durrës, respektivisht në të dyja anët e saj për të parandaluar aksidentet rrugore që vijnë si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara.

Sipas policisë, nga vëzhgimet me radar në rrugë janë kapur disa shkelje dhe për pasojë janë pezulluar 15 leje drejtimi për shpejtësi deri në dyfishin e limit të lejuar në këtë rrugë.

“Pavarësisht kontrolleve të shtuara në këto akse, jo vetëm në fundjavë por çdo ditë, ka akoma shumë drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë duke rrezikuar jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës. Prej orës 20:00 të mbrëmjes e deri ne 01:00 të mëngjesit të sotëm janë evidentuar nga kontrolli me radar shpejtësi nga 141 km/h deri 170 km/h”, bën të ditur policia.

Një 25 vjeçar që po ecte me shpejtësi 170 km/h është ndaluar gjatë ndjekjes nga patrullat e Policisë Rrugore pasi nuk ndaloi kur punonjësi i Policisë i bërë shenjë ndalimi.

Policia i bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të shijojnë fundjavën, por të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Atsh