Shpërthim me tritol në një lokal në Shkodër

0
86

Një sasi tritoli ka shpërthyer pas mesnate në një lokal në qytetin e Shkodrës, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

Mësohet se shpërthimi ka ndodhur në një lokal në zonën e Fermentimit, rreth orës 02:00 të mëngjesit.

Sasia e tritolit është vendosur në lokalin në pronësi të shtetasit me inicialet F.K, 45 vjeç.

Nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale, ndërkohë që në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, për të kryer veprimet hetimore.

Në katin e dytë të godinës ku ndodhej lokali ka një banesë, por fatmirësisht pronarët nuk jetonin aty në momentin e shpërthimit.

Pritet të bëhet kqyrja e pamjeve të sigurisë, për të hedhur më shumë dritë në lidhje me autorin e vendosjes së lëndës plasëse.

Policia po merr në pyetje pronarin e lokalit, nëse ka pasur apo jo konflikte të mëparshme, që mund të shërbejnë si një indicie për të shkuar drejt gjurmëve të autorit.