Në lidhje me shpërthimin e tritolit që ndodhi mëngjesin e sotëm në një lokal në Lungomare është zbuluar motivi i mundshëm i ngjarjes.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi bar-restoranti ku u vendos sasia e lëndës plasëse (tritol) ka qenë në pronësi të Bledar Birçaj, i cili është ekzekutuar në 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij në lagjen Hajro Çakërri me breshëri plumbash.
Ndërkohë që lokali ka qenë me qera, dhe është marrë sërish nga pronarët (vëllezërit e Bledarit) të cilët kanë pak kohë që e kanë vënë në punë. Lokali është në emër të nënës Resmie Birçaj.
Kush ishte Bledar Birçaj:
Në verë të vitit 2021, Bledar Birçaj kishte pak javë që ishte kthyer në Shqipëri nga Spanja, ku edhe jetonte. Atentati ndaj tij ndodhi në lagjen “Hajro Çakërri”, ku 40-vjeçari po lëvizte me makinën tip BMW dhe i dolën në pritë. Pasi u qëllua me breshëri kallashnikovi, Bledar Birçaj u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ia doli t’i mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë.
40-vjeçari ishte pronar i lokalit në qytetin e Vlorës. Në ekstraktin e QKB rezulton se ishte pronar i një biznesi në fushën e veprimtarisë bar-kafe, birrari dhe tregti me pakicë e artikujve të ndryshëm.
E shkuara e tij kriminale:
Në janar të 2011, Birçaj u arrestua në Vlorë si i dyshuar për vrasje, duke iu vendosur masa e arrestit me burg me afat 45 ditë. Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin të marsit 2011, ka caktuar si masë sigurimi “arrestit në burg” pa afat.
Në prill masa ndaj tij ndryshoi nga Gjykata e Vlorës nga “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masën detyruese “ndalim të daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve. Por në korrik 2011 u vendos pushimi i hetimit penal në ngarkim të Bledar Birçaj duke u lënë i lirë.