Shpërthim tritoli në Vaun e Dejës,flet pronari: Ishte një person i maskuar, hodhi lëndën dhe u largua në këmbë

0
49

Sasi tritoli është vendosur në portën e jashtme të banesës së 62-vjeçarit, Filip Dodaj, në Vaun e Dejës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:10 në fshatin “Bushat. Si pasojë e shpërthimit ka pasur vetëm dëme të vogla materiale.

“Rreth orës 21:10, në fshatin “Bushat”, Vau i Dejës, në portën e jashtme të banesës së shtetasit F. D., 62 vjeç, është hedhur një sasi e vogël, dyshohet lëndë plasëse.

Si pasojë ka vetëm dëme të vogla materiale.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pronari i banesës në fshatin Bushat të Vaut të Dejës ku iu vu mbrëmjen e sotme tritol, ka deklaruar se nuk ka konflikt me askënd dhe se nuk dyshon tek askush për këtë akt.

Filip Dodaj tha se nga kamerat e sigurisë ka parë se tritolin në derën e shtëpisë ia ka vënë një person i maskuar, i cili ishte i vetëm, dhe më pas është larguar në këmbë.

“Nuk di çfarë të them, nga kamerat shihet një person i maskuar, ka ardhur nga veriu dhe ka ikur nga ai drejtim prapë. Ka qenë vetëm në këmbë. Nuk kam pasur asnjë problem me askënd. Nuk kam asnjë dyshim për asnjë njeri. Unë jam punëtor, punoj për një firmë. Jetoj me babanë dhe gruan, fëmijët janë jashtë”, ka deklaruar ai.