Mijëra turistë janë dyndur në malin Etna për të parë shpërthimet spektakolare të vullkanit.
Gjithsesi, kjo gjë ka shkaktuar bllokimin e rrugëve dhe po pengojnë shërbimet e shpëtimit të arrijnë tek ata që kanë nevojë për ndihmë, kanë thënë autoritetet lokale.
Kreu i mbrojtjes civile rajonale të Siçilisë, Salvo Cocina, e përshkroi turizmin e ditëve të fundit në Etna si “të egër” dhe “jashtëzakonisht të rrezikshëm”, duke paralajmëruar se udhëtarët ditorë të tërhequr nga pamjet e jashtëzakonshme kishin parkuar makinat e tyre përgjatë rrugëve të ngushta, duke penguar automjetet e shpëtimit
Në një postim në Facebook të dielën mbrëma, Cocina tha: “Fluksi i njerëzve ka krijuar një skenë të egër me makina që grumbullohen nëpër rrugët e ngushta, një ndalim trafiku dhe automjete të shpëtimit të paaftë për të kaluar. Ndërsa bie errësira, situata bëhet jashtëzakonisht e rrezikshme”.
Paralajmërimi i tij, megjithatë, dukej se ra në vesh të shurdhër.
Tetë persona, përfshirë dy të mitur, humbën gjatë një ekskursioni të hënën dhe u gjetën vetëm disa orë më vonë, një zhvillim që nxiti një thirrje në brigadën e zjarrfikësve. Të dielën, një burrë 48-vjeçar pësoi një thyerje të këmbës nga rrëzimi dhe katër të tjerë ishin zhdukur një natë më parë, shkruan Guardian.
Zjarrfikësit u sollën për të ndihmuar vendasit dhe për të frenuar fluksin e turistëve dhe udhëtarëve ditorë nga Siçilia dhe më gjerë nëpër rrugët e mbipopulluara, ndërsa kryebashkiakët e qyteteve në shpatet e vullkanit kanë urdhëruar vizitorët të qëndrojnë të paktën 500 metra larg nga llava, një direktivë e cila është injoruar pothuajse tërësisht.
Top Channel