Qeveria shqiptare është shumë pranë finalizimit të një marrëveshje me Greqinë për njohjen e pensioneve për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj.
Në konferencën e përbashkët me homologun Dendias, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka theksoi se shumë shpejt do të ketë një marrëveshje mes dy vendeve për çështjen e pensioneve.
“Të dyja palët kanë vullnet për një bashkëpunim edhe në fusha të tjera sociale, kulturore, të cilat janë ura për thellimin e bashkëpunimit. Produkt është edhe kërkesa jonë për negociimin dhe nënshkrimin për pensionet, nga i cili do të përfitojnë dhe shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri, sa i përket situatës në rajon, por edhe më tej”, tha Xhaçka.
Arritja e kësaj marrëveshje merr një rëndësi të madhe për Qeverinë Shqiptare, pasi do të bënte të mundur bashkimin e kontributeve shoqërore për efekt pensioni të afro 1 milion shqiptarëve që prej dekadash tashmë punojnë dhe jetojnë në Greqi.
Deri tani 11 shtete njohin pensionet shqiptare, ndërsa janë në proces final për njohje edhe Zvicra e Rumania ku pritet që së shpejti marrëveshjet të miratohen në Parlament.