Shqipëria, destinacion i preferuar për investitorët e huaj

0
276

Shqipëria mbetet destinacioni i preferuar për investitorët e huaj, falë mikpritjes, politikave nxitëse dhe aksesit në tregjet ndërkombëtare.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, vizitoi sot një biznes turk ku foli mbi mundësitë e reja dhe zgjerimin e aktivitetit gjatë periudhës së pandemisë.

“Ne po mendojmë se si t’i ndihmojmë bizneset, qoftë përmes skemave të financimit, qoftë përmes atyre të garancisë. Instrumentet e garancisë do të vijojnë. Do të jenë formate të vazhdueshme të mbështetjes së financimit, ku garancia jepet si mbështetje nga shtetit, ose skema të gërshetuara me grantet”, u shpreh ministrja Denaj.

“Optimal Center sh.p.k” arriti t’i përshtatej nevojave të tregut, duke zgjeruar gamën e produkteve. Nga muaji maj, falë pozicionimit strategjik në Shqipëri, ka nisur eksportin e produkteve të higjienës drejt tregjeve italiane dhe përtej oqeanit në tregjet amerikane.

“E kemi nisur me një makinë dhe e kemi çuar në 5 makineri. Kemi nisur edhe prodhimin e letrave të lagura antibakteriale. Në këtë situatë njerëzit po kërkojnë më tepër produkte që lidhen me higjienën. 60-70% e produkteve që prodhojmë ne po i eksportojmë”, shprehet përfaqësuesi i kompanisë.

Një ndër problematikat e ngritura nga biznesi ka qenë rimbursimi i TVSH-së. Për këtë ministrja Denaj tha se rimbursimi është detyrim që po ndiqet hap pas hapi nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Denaj u shpreh se në 2019-n kemi paguar 23.5 miliardë lekë të reja.

“Ndryshuam rregulloren, përmes së cilës bëhet ndarja e bizneseve sipas riskut. Bizneset me risk të ulët, që nënkuptohen bizneset që kryejnë të gjitha detyrimet, taksa, tatime dhe sigurime shoqërore në kohë, si dhe bizneset me risk të lartë, për të cilat më parë kishte dyshime për përfshirje në skema të dyshimta të TVSH-së, apo kanë procese të caktuara me risk”, u shpreh ministrja.

atsh