Shqiptarët ende e konsiderojnë martesën si mjetin kryesor për krijimin e familjes. Në vitin 2019, Shqipëria u renditet e treta në Europë për numrin e martesave për 1000 banorë, pas Kosovës dhe Qipros raportoi Erurostat.
Gjatë vitit 2019, në Shqipëri, kishte 7.9 martesa për 1000 banorë. Në raport me vetveten, numri i martesave ka shënuar ulje, por në Europë thyejmë rekordet pas Kosovës, e cila në vitin 2019 kishte 9.8 martesa për 1000 banorë dhe Qipro me 8.9 martesa për 1000 banorë. Në BE, në vitin 2019 kishte 4.3 martesa për 100 banorë
Lezha, Dibra dhe Berati, qarqet me numrin më të lartë të martesave; Tirana dhe Korça më pak
Sipas INSTAT, në Shqipëri, Qarku me numrin më të lartë të martesave është Lezha. Sipas përllogaritjeve të Monitor, në 2019-n u lidhën 11.6 martesa për 1000 banorë. Numri i martesave ishin më të larta se mesatarja e vendit edhe në Qarkun e Beratit, ku në 2019-n kishte 9.8 martesa për 1000 banorë, ndjekur nga Dibra, me 9.4 martesa, Fieri 8.8 martesa, Elbasani me 9 martesa dhe Elbasani me 8.6 martesa.
Nga ana tjetër, qarqet me numrin më të ulët të martesave në raport me popullsinë janë Tirana dhe Korça. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në të dhënat e INSTAT për numrin e martesave dhe popullsinë sipas qarqeve, në Tiranë u lidhën vetëm 6.3 martesa për çdo 1000 banorë, ndërsa në Korçë u lidhe 6.4 martesa për 1000 banorë.
Martesat në Europë po ulen dhe po shtyhen në kohë
Numri i martesave ndryshonte në periudhën 2001 – 2019 në BE. Në 2001-2006, kishte 4.8 deri në 4.9 martesa për 1 000 persona. Pati një kulm prej 5.0 martesash për 1 000 persona në 2007. Pas kësaj, norma u ul vazhdimisht deri në vitin 2013, kur arriti nivelin e saj më të ulët gjatë kësaj periudhe, 4.1 martesa për 1 000 persona. Që atëherë, norma u rrit përsëri në 4.5 për 1 000 persona në 2018. Megjithatë, në vitin 2019, përsëri pati një rënie në 4.3 martesa për 1 000 persona, sipas Eurostat.
Ashtu si mosha e nënave kur lindin fëmijën e tyre të parë, po rritet edhe mosha e martesës. Në të gjitha shtetet anëtare të BE-së për të cilat disponohen të dhëna, mosha mesatare në martesën e parë u rrit midis 2001 dhe 2019. Në vitin 2019, mosha mesatare në martesën e parë ishte më e madhe në Suedi (34.1 vjet për gratë dhe 36.7 për burrat) dhe Spanjë (33.9 dhe 36.1), dhe më e reja në Sllovaki (26.6 për gratë dhe 29.2 për burrat ) dhe Polonia (27.7 dhe 30.1)./ Monitor