Shqipëria bie 11 vende ne indeksin global të korrupsionit.Sipas raportit të fundit të organizatës ndërkombëtare Transparency International për vitin 2025, vendi ynë ka shënuar një rënie të dukshme në renditje dhe ka humbur 3 pikë, krahasuar me vitin e kaluar. Nga 42 pikë Shqipëria ka rënë në 39 pikë. Në raportin e vitit të kaluar, Tirana zyrtare renditej e 80 mes 180 vendeve, ndërsa sot vendi renditet i 91.
“Përqendrimi i pushtetit, ndikimi i tepruar në gjyqësor dhe presioni mbi shoqërinë civile nxisin prapambetjen demokratike duke dobësuar kontrollet dhe balancat dhe duke zvogëluar mbikëqyrjen publike. Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, transparenca e vendimeve për projektet e investimeve me vlerë të lartë është një dobësi e zakonshme. Rregullat e pezulluara të transparencës dhe kompetencat diskrecionare të pakontrolluara po i vënë fondet publike në rrezik korrupsioni, ndërsa gërryejnë besimin publik”, thuhet në raportin e TI.
Në raport është përmendur edhe ishulli i Sazanit.
“Mungesa e procedurave konkurruese ka çuar në shfrytëzim të pakontrolluar të burimeve natyrore në Bosnjë dhe Hercegovinë, rrezik të degradimit mjedisor në rastin e ishullit të Sazanit në Shqipëri dhe i ka lejuar qeverisë së Serbisë të nënshkruajë marrëveshje sekrete me një investitor të huaj dhe të anulojë në mënyrë të paligjshme mbrojtjen e monumenteve kulturore, për ta zëvendësuar atë me një hotel luksoz”, thuhet në raportin e TI.
Kosova, sipas të njëjtit raport, është vlerësuar me 43 pikë për vitin 2025, duke u renditur në vendin e 76-të. Mali i Zi është vlerësuar më mire në Ballkanin Perëndimor sa i përket luftës kundër korrupsionit, Maqedonia e Veriut me 40 pikë ndërkohë Serbia ka marrë numrin më të vogël të pikëve./vizionplus.tv


