Shqipëria mban dy ditë zi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare! Nesër zhvillohen homazhet në TKOB

0
43

Shqipëria është në zi kombëtare sot dhe nesër, në nder të kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë ditën e djeshme.

Datat 2 dhe 3 korrik janë shpallur ditë zie kombëtare, ku flamujt në institucionet shtetërore dhe publike do të ulen në gjysmështizë.

Të mërkurën do të mbahen homazhe publike dhe ceremoni shtetërore tek Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë, nga ora 9:00 deri ne orën 11:00.

Kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare do të përcillet nesër në banesën e fundit me ceremoni shtetërore. Në orën 13.00 të së mërkurës çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe.

Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

 

Top Channel