Shqipëria nuk ka gati infrastrukturën për pritjen e punonjësve të huaj

0
37

Partnerët e zhvillimit të Shqipërisë vitet e fundit po i kushtojnë një fokus të veçantë kapitalit njerëzor. Emigracioni i lartë në Shqipëri në dhe në Rajon, po pakëson popullsinë, teksa ekonomitë po shtojnë gjithnjë e më shumë kërkesën për punonjës.

Banka Botërore në përditësimin e fundit të zhvillimeve ekonomike në Rajon vuri në dukje se ka nisur furnizimi me punonjës të huaj, por vendet janë në fillesa të përgatitjes së infrastrukturës për sjelljen dhe menaxhimin e tyre. Shumica e vendeve të Ballkanit dhe sidomos Shqipëria po përfshihen në menaxhimin e flukseve hyrëse të imigracionit.

Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia po synojnë të tërheqin emigrantë të huaj për të plotësuar mungesën e fuqisë punëtore.

Banka vë në dukje se të gjitha vendet e Rajonit ekziston një proces i gjatë për të marrë lejet e punës dhe vizat, ku përfshihen shumë aktorë duke vështirësuar koordinimin për sjelljen e tyre.

Gjithnjë e më shumë punëdhënësit kërkojnë rekrutim në agjencitë private të punësimit, por të gjithë elementët e procesit që sjellin punonjës nga jashtë kanë nevojë për rregullime ligjore që e lehtësojnë.

Për shembull, procesit të përzgjedhjes i mungon informacioni i saktë dhe verifikimi për aftësitë e punëtoreve të huaj duke çuar në mospërputhje të mundshme të aftësive.

Ka gjithashtu mbështetje të kufizuar në masat integruese për punëtorët e huaj në vendet e WB6. Në përgjithësi, vendet e WB6 renditen në fund përsa i përket integrimit të emigrantëve në të gjithë Evropën.

Sjellja e punonjësve të huaj ndeshet me kompleksitete në proceset burokratike, të cilat krijojnë barriera që pengojnë aksesin e emigrantëve në shërbime.

Për shembull, rregulloret e bankave mund të kufizojnë aftësinë e emigrantëve për të pasur llogari bankare në monedha të ndryshme dhe nuk garantojnë transferta të shpejta në vendet e origjinës.

Emigrantët gjithashtu përballen me sfida burokratike në transferimin dhe përkthimin e të dhënave personale nëpër vende, të cilat mund të jenë të kushtueshme dhe kalojnë në procese të gjata.

Gjithashtu, kërkesat administrative shtesë të tilla si historiku me të dhënat mjekësore mund të kufizojnë de-fakto regjistrimin e tyre dhe aksesin në shërbime të caktuara.

Kapacitetet e dobëta pengojnë aftësinë të institucioneve qeveritare për të zbatuar politikat e migracionit dhe mbështetjen gjatë gjithë udhëtimit të tyre./MONITOR