Ervis Cukali, një 27 vjeçar nga Kamza, është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga Forcat “Shqiponja” në Sarandë, pasi lëvizte me një person të armatosur dhe ndërkohë prej dy vitesh ishte në kërkim policor. Ky shtetas akuzohet për planifikim vrasje.
27 vjeçari ka qenë në makinë me Imer Gegën dhe shtetasin Endri Doku, me këtë të fundit që në një çantë (marsup) mbnate një armë zjarri pa leje. Kur efektivët kanë ndaluar “Porsche Panameran” me të cilën ata udhëtonin, Endri Doku ka dalë dhe është hedhur në det.
Ai ka hedhur çantën me pistoletën pa leje në ujë, por është kapur nga një skaf i Policisë Kufitare, ndërsa Ervis Cukali dhe shoku tjetër Imer Gega janë ndaluar menjëherë.
Ervis (B.) Cukali, 27 vjeç, banues në Kamëz, akuzohet për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndërsa ishte në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.
Ky shtetas rezulton se në 30 gusht 2023 bashkë me shtetasit Albi Mecini dhe Arafat Manërkolli, janë kapur në flagrancë në Fier teksa po transportonin 21kg lëndë plasëse eksploziv.
Albi Menici është kapur nga policia në fshatin Vajkan teksa ndodhej brenda një automjeti të marrë me qira nga vëllai i tij dhe kishte ndaluar në anë të rrugës. Në afërsi të mjetit të Mecinit, u gjendën lëndë plasëse të lidhura me telefon gati për shpërthim në distancë.