Importet e karburanteve shënuan rënie vjetore për të dytin muaj radhazi në prill të këtij viti, duke sinjalizuar se çmimet e larta janë duke e ndikuar negativisht konsumin e produktit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ulja e konsumit në raport me vitin 2021 po vjen prej çmimeve të larta.
Aktualisht një litër naftë po shitet në pikat me e pakicës me 248 lekë litri, nga 160 lekë litri që ishin në qershorin 2021. Gjatë një viti çmimi i një litri karburant është rritur me 55%
Operatorët e tregut pohojnë se tkurrja e konsumit është konstatuar tek kompanitë e ndërtimit, që punojnë me tenderë, të cilat janë frenuar për momentin.
Ndërsa tek veturat, sipas tyre, nuk është vënë re tkurrje konsumi, me përjashtim të zonave kufitare, që i mbushin makinat në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, ku nafta tregtohet 30-40% më lirë.
Në mungesë të një sistemi efecient dhe të shpejtë të transportit publik, makina nuk është luks, por një domosdoshmëri për shumëkënd që e ka punën larg shtëpisë.