Emigrantët e ardhur gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit kanë qenë faktor i rëndësishëm në parandalimin e zvogëlimit të popullsisë italiane. Në vend po lindin më pak fëmijë dhe po vdesin më shumë banorë vendës. Shqiptarët llogariten komuniteti i dytë më i madh.
Italia ka shënuar një tjetër minimum historik për sa i përket lindshmërisë, teksa në vend rritet vdekshmëria dhe të larguarit, e në të njëjtën kohë pakësohen ndjeshëm emigrantët.
Instituti italian i Statistikave zbuloi të hënën se në bilancin demografik të vitit 2019, rezulton që numri i lindjeve të reja zbriti me 4,5 për qind nga viti i mëparshëm duke arritur në 420 mijë, ndërkohë që numri i vdekjeve pësoi një rritje të lehtë nga viti në vit, duke prekur 634 mijë.
Në të njëjtën periudhë, popullsia rezidente italiane u tkurr me gati 236 mijë banorë ndërsa rezidentët me kombësi të huaj u shtuan me gati 50 mijë më shumë.
Ky trend vijon prej vitit 2015, dhe bilanci demografik zbulon se shumë italianë po e lënë vendin për t’u transferuar jashtë shtetit, raport ky që vitin e kaluar arriti mbi 16 për qind.
Si një vend multietnik, ndërkohë, Italia vitin e kaluar regjistroi 194 kombësi të ndryshme.
Rumunët mbeten komuniteti më i madh pas italianëve, duke u llogaritur në 1,2 milionë, ndjekur nga shqiptarët, afro 441 mijë, dhe marokenët të tretët, rreth 9 mijë më të pakët në numër.
Së bashku me kinezët dhe ukrainasit, këto pesë popullsi përbëjnë gjysmën e gjithë rezidentëve të huaj në Itali.
Në lidhje me ndarjen gjinore, komuniteti shqiptar numëron më shumë meshkuj sesa femra dhe ai rumun më pak meshkuj sesa femra.
Për sa i përket lëvizjeve të brendshme, veriperëndimi i Italisë mbetet rajoni më i populluar i vendit si për italianët, edhe për të huajt, më pas vijnë rajoni jugor, ai qendror dhe verilindor e në fund zonat ishullore.
Ekspertët thonë se tkurrja e popullatës dhe plakja e forcës së punës janë një nga arsyet pse ekonomia italiane përballet me një stanjacion të vazhdueshëm.
Pandemia e kovidit-19 sivjet e ka vështirësuar më tej situatën ekonomike dhe pabarazinë sociale.
Përpos tragjedisë së 35 mijë viktimave, pandemia pritet në muajt në vijim të rritë papunësinë, varfërinë, të ulë lindshmërinë por edhe prodhimin e brendshëm me më shumë se 10 për qind.
ora news