Shqiptarët me besimin më të ulët në Rajon tek prodhimet vendase

0
240

Prodhimi vendas nuk gëzon besimin masiv të shqiptarëve, ndryshe nga sa ndodh në Rajon, ku qytetarët në përqindje të larta janë pro konsumit të produkteve vendase.

Një anketë e Barometrit të Ballkanit 2020 e realizuar nga Këshilli i Koordinimit Rajonal gjeti se vetëm 65 shqiptarëve zgjedhin që të konsumojë prodhime vendase, kundrejt 32 për qind që dëshirojnë të konsumojnë prodhime nga Europa Perëndimore.

Në vendet e tjera ballkanike preferencat janë për prodhimet vendase. Sipas anketës 91 për qind e boshnjakëve preferojnë të konsumojnë prodhimet e tyre. Në po këto përqindje preferojnë të konsumojnë prodhimet e tyre edhe Mali i Zi dhe Serbia.

Në Maqedoni kjo përqindje është më e ulët në nivelin 82% , por gjithsesi është me lartë se në vendin tonë. Kosova ka përqindjen më të ulët të besimit në konsumin e prodhimeve vendase, pas Shqipërisë ku vetëm 71 për qind e tyre preferojnë të konsumojnë prodhime vendase, kundrejt 21 për qind të tyre që preferojnë prodhime nga vendet perëndimore të Europës.

Anketa zbardh situatën jo të mirë të prodhimit vendas. Mungesa e cilësisë dhe mosrespektimi i standardeve shesh i kanë bërë konsumatorët vendas dyshues duke preferuar të konsumojnë prodhime të Europës. Shqipëria është një vend importues neto, ku pjesa dërrmuese e mallrave janë importe. Në një farë mënyrë konsumatorët janë edukuar të konsumojnë prodhime importi dhe i shohin me dyshim prodhimet e vendit.

Gjithashtu mungesa e mentalitetit të ekonomisë së tregut ka krijuar një mungesë kulture të konsumatorët, të cilët nuk e dinë se, duke blerë prodhimet e vendit e ndihmojnë më shumë ekonominë e tyre dhe cilësinë e prodhimeve shqiptare.

Përgjatë vitit 2020 besueshmëria e shqiptarëve tek prodhimet vendase është ulur me tej, po ta krahasojmë ne anketën e vitit 2019 ku, 70 për qind e konsumatorëve kishin besim në “Made in Albania”, kundrejt 65% këtë vit.

Monitor