Shqiptarët më pak të lumturit në Evropë, vendi i nëntë më i korruptuar në botë nga 146 vende

0
141

Shqipëria renditet ndër 10 vendet më të korruptuara në botë, sipas perceptimit të qytetarëve të saj. Kështu thuhet në raportin e fundit global të lumturisë të Kombeve të Bashkuara, i cili gjithashtu e rendit popullin shqiptar, si një ndër popujt më të palumtur në Evropë.

Kur shqiptarët pyeten nëse korrupsioni është i përhapur në qeverinë e vendit të tyre, shumica dërrmuese e tyre mendojnë që po duke e renditur kështu vendin tonë si një ndër 10 vendet më të korruptuara në botë.

Ky përfundim është publikuar në raportin e fundit global të lumturisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sipas metodologjisë së raportit perceptimi i korrupsionit matet bazuar në dy pyetje, nëse është i përhapur në qeveri dhe në biznese.

Për periudhën 2019-2021, Shqipëria ka një pikëzim për këtë tregues prej 0.03 duke u renditur e 9-a në botë.

Përgjithësisht vendet e rajonit nuk rezultojnë të kenë besim në sistemet e tyre qeveritare.

Bosnje-Hercegovina është e dyta në botë pas Afganistanit. Në listë pas nesh është Maqedonia e Veriut dhe më pas Kosova.

Perceptimi i lartë që kanë qytetarët për korrupsionin është një nga treguesit që na penalizon në indeksin e lumturisë, i cili e rendit Shqipërinë të parafundit në Europë.

Në dallim nga qytetarët e vendit tonë, shqiptarët e Kosovës renditen populli më i lumtur në rajon dhe ndër më të lumturit në botë, duke u renditur në vendin e 32-të.

Shteti, që perceptohet nga qytetarët e vet si më pak i korruptuari në botë vijon të jetë Singapori.

Në listën e më pak të korruptuarve janë dhe vendet nordike, Danimarka, Finlanda, Suedia, Norvegjia.