Shqiptarët vijojnë që të paguajnë me taksat e tyre shkarkimet e padrejta të punonjësve nga administrata.
Sipas të dhënave të ministrisë së financave rezulton se në tre muajt e parë të vitit 2020 detyrimet për shkarkimet e padrejta nga puna janë rritur me 18% duke arritur në mbi 4 miliard lekë ose 32 milion euro. Ndërkohë nëse e krahasojmë me fillimin e vitit 2019 rritja është 2.3 miliard lekë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për t’i paraprirë akumulimit të borxheve , përveç një monitorimi periodik, vazhdimisht i ka kërkuar institucioneve buxhetore, përmes aplikimit me këste të pagesës për përfituesit ose zhvendosjes në kohë të të barrës së tyre buxhetore.
Problem mbetet edhe pagesa e detyrimeve ndaj kompanive që realizojnë punime kryesisht në infrastrukturë.
Stoku total i detyrimeve të krijuara në buxhet vlerësohet se është 6.53 miliard lekë. Ministria e Infrastrukturës rezulton institucioni i cili ka peshën më të lartë të detyrimeve të prapambetura të lidhura direkt me vonesat e pagesave të kompanive të mirëmbajtjes së rrugëve si dhe rimbursimin e TVSH-së.
Ministria e Mbrojtjes renditet e dyta përsa i përket nivelit të borxheve deri në mars të 2020 me 1.2 miliard lekë e ndjekur nga ministria e brendshme me 1.1 miliard lekë borxhe këto të krijuara ndaj individëve por dhe ndaj subjekteve.
Pas dy ministrive renditet drejtoria e tatimeve me 728 milion lekë detyrime të krijuara kryesisht nga vonesat e rimbursimit të TVSH ndaj bizneseve të ndryshme.
Ky problem është ngritur shpesh edhe nga institucionet ndërkombëtare si dhe vetë kompanitë.
Vonesat në rimbursim rëndojnë edhe më shumë gjendjen e bizneseve në Shqipëri të cilat janë goditur rëndë edhe nga pandemia.
Vetëm tre ministri rezultojnë pa detyrime, drejtësia, bujqësia dhe ministria e Jashtme.
Abc