Djali i xhaxhait të Bledar Dedjas, i cili u gjet i masakruar në një zonë pyjore në Itali, ka ndarë detaje në lidhje me dyshimet për vrasjen e të 39-vjeçarit.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë për emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores dhe moderatores, Evis Ahmeti, ai përjashtoi pistën e një krimi pasioni, ku tha se 39-vjeçari ishte person i qetë , ndërsa ngriti tezën se mund të ketë qenë grabitje.
“S’ka asgjë të vërtetë nga ato që flitet. Asgjë të vërtetë. Ishte si qingj. Unë flisja përditë me të, se punonte me nipin tim. Ishte momentale ajo që i ka ndodhur, ose kanë tentuar ta grabisnin, ose ndonjë pisllik, ndonjë gjë. Se ky ka punuar jashtë, gati 20 vite. Ne jetojmë të gjithë bashkë andej dhe mblidheshim për kafe. E kemi marrë në tel dhe ku nuk e hapte telefonin, menduam mos e kishte zënë gjumi në makinë. Telefonin ia kanë marrë çunit, e kupton tani? Ai vendi është shumë i ftohtë. Mund ta kenë rrëmbyer bashkë me makinën, nuk ka qenë vetëm një njeri. Mund të kenë qenë 2-3 veta.
Ne e gjetëm trupin, pasi kemi kërkuar gjithë natën. Ai nuk rrinte as në lokale, edhe pse ai nuk rrinte atje. Gjithsesi kontrolluam. Pasi gjetëm trupin kemi njoftuar policinë. Në trup kishte çarje, gërvishtje, me thikë, por unë vetë nuk e kam parë. Po ashtu dua të theksoj se trupi nuk ka qenë i zhveshur, siç mund të pretendohet.
Për ne ngjarja ka qenë rastësi. Trupi ka qenë larg nga makina, rreth 100 metra. Makina s’ka asnjë shenjë.
Për sa i përket varrimit nuk e kemi vendosur nëse do të varroset në Itali apo në Shqipëri”, u shpreh djali i xhaxhait të Bledar Dedja.
(BalkanWeb)