Shtohen 13 mijë pensionistë në 2022-shin, rrezikohet skema, po rriten me shpejt se kontribuuesit

0
79

Numri i përfituesve në skemën publike të pensioneve u zgjerua më tej gjatë vitit 2022, duke arritur në një total prej 686,923 persona ose mbi 13 mijë më shumë se në vitin 2021.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore po tregojnë se numri i pensionistëve po shënon rritje më të shpejtë se numri i kontribuuesve. Pensionistët u shtuan me 13 mijë, ndërsa kontribuuesit 10 mijë. Në vitin 2022 për çdo përfitues kishte vetëm 1.1 kontribuues nga 1.2 që ishte ky raport në vitin 2018.

Në vitet e mëtejshme raporti kontribuues /përfitues do të përkeqësohet edhe me tej për shkak të zhvillimeve të pafavorshme demografike. Projeksionet tregojnë se deri në vitin 2030 popullsia në moshe pune do të tkurret në mënyrë sistematike dhe nga ana tjetër numri i pensionistëve do të rritet me shpejtësi duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve.

Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2022, u raportuan 686,923 të tillë. Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2022, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s.

Më 2010 dhe 2011, numri i tyre është rritur me rreth 5 mijë pensionistë në secilin vit, por pas vitit 2013, në skemë shtohen mesatarisht 15 mijë çdo vit. Ritmet janë ulur pak vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensioneve që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë dhe efekteve që krijoi pandemia ku shumica e vdekjeve shtesë ishin në moshë pensioni.

Megjithë këto zhvillime në vitin 2022 skema e sigurimeve shoqërore shfaqi qëndrueshmëri prej arkëtimeve më të larta nga kontributet. ISSH raportoi të ardhura 133,3 miliardë lekë nga kontribute me një rritje vjetore 18%. Si rrjedhojë subvensionet nga buxheti i shtetit për skemën e sigurimeve ishin 22,9 miliardë lekë me rënie 18 për qind nga viti 2021, ku buxheti e mbështeti nga të ardhurat e tjera skemën publike të pensioneve me rreth 28 miliardë lekë.

Këto zhvillime nuk zbehin qëndrueshmërinë e skemës në periudhën në vijim ku gjithnjë e më shumë pensionsitë do të përfshihen në skemë dhe presionet për rritjen e masës së pensioneve janë rritur nga çmimet e larta. Të ardhurat e pensionistëve po gërryhen nga inflacioni, teksa qeveria dha paketa ndihme shtesë këtë vit për këtë kategori.

Shqipëria nuk e ka të zhvilluar infrastrukturën për të siguruar jetë të mirë për pensionistët. Mungojnë shtëpitë e kujdesit social, azilet etj. Sistemi shëndetësor ka kapacitete të kufizuara për të përballuar nevojat në rritje nga pensionistet për shërbime. Lista e barnave që rimbursohen është e kufizuar dhe moshat e vjetra përballen me shpenzime të larta për shëndetin nga xhepi./Monitor