Shtohen të prekurit nga virozat, mjekët: Mos pini asnjë ilaç pa u konsultuar me specialistët

0
2

Ulja e temperaturave është shoqëruar dhe me një shtim të ndjeshëm të rasteve me viroza.

Mjekja Infeksioniste Esi Duka, thotë se më të rrezikuarit janë fëmijët, të moshuarit si dhe personat me sëmundje kronike.

“Në këtë periudhë kemi një shtim të numrit të rasteve që mund të jenë të shoqëruara edhe me komplikacione të ndryshme, qoftë encefalite, prekje të sistemit nervor qëndror, qoftë meningite apo forma të rënda të pneumonisë. Ne kemi një shtim të numrit të rasteve duke filluar nga moshat mbi 14 vjeç dhe duke variuar deri tek grupmoshat e mëdhaja mbi 8o ose më shumë, por kryesisht grupmoshat që janë më tepër aktive, që frekuentojnë  më tepër ambientet e hapura, grupmosha që janë aktive, që janë në kushte pune”, thotë mjekja.

Sipas mjekes, të shumta janë edhe rastet e përdorimit të medikamenteve pa rekomandimin e mjekut, të cilat shpesh mund ta rëndojnë edhe më tepër gjendjen e tyre shëndetësore.

“Një pjesë e njerëzve paraqiten në faramaci duke marrë medikamente pa u konsultuar me mjekun, qoftë dhe me mjekun e familjes që është dhe kontakti i parë i pacientëve. Këto janë subjekte që paraqiten dhe në format më të rënduara sepse fillojnë një mjekim pa u konsultuar me një mjek, ato paraqiten edhe në format më të rënda dhe kërkojnë hospitalizim në shërbimin tonë”, sqaron mjekja.

Bluzat e bardha këshillojnë të gjitha grupet e riskut që të vaksinohen.