Shtyu gruan dhe 3 fëmijët drejt vetëflijimit, Prokuroria kërkon 6 vite burg për Erdgys Arrazin

0
1

Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar dënimin me 6 vite burgim për Erdgys Arrazin, bashkëshortin e Alma Arrazit e cila u hodh nga ura mbi Lumin e Bunës bashkë me 3 fëmijët e mitur, duke shkaktuar një tragjedi të tmerrshme.

Ndaj tij rëndojnë dyshimet për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes” në dëm të bashkëshortes së tij, Alma Arrazi. Nga hetimet ka rezultuar se Erdgys Arrazi ka shtyrë Almën drejt aktit të vetëflijimit për shkak të sjelljes diskredituese, që ka cenuar dinjitetin e saj.

Lidhur me të miturit është regjistruar nga prokuroria akuza për vrasje për shkak të cilësisë së veçanta të viktimës ndërsa është përjashtuar që të ketë patur persona të tjerë të përfshirë. Për këtë arsye kjo akuzë është pushuar nga organi i akuzës pasi sipas hetimeve ka rezultuar se autor për vrasjen e tre fëmijëve është nëna e tyre që vendosi t’i japë fund jetës bashkë me tret ë vegjlit e saj. Për shkak të ndarjes nga jeta të nënës kjo akuzë e dytë është pushuar nga prokuroria e Shkodrës.

Pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria dhe kërkesës për 6 vite burg për Erdgys Arrazin i ulur në 4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, pritet që avokatët të paraqesin mbrojtjen e tyre dhe pas palës mbrojtëse gjykata e shkallës së parë në Shkodër pritet që të japë edhe vendimin e saj lidhur me këtë ngjarje të rëndë.